
Nuk i imponoi dot pikëpamjet komuniste, takimi ogurzi i Enver Hoxhën me Vinçenc Prennushin në ‘45-ën! Pas Arrestimi dhe vdekja në qeli e klerikut nga torturat çnjerëzore

Më 19 mars të vitit 1949, iu shua fryma në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvit të këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushit. Kushtimi ndaj besimit do t’i kushtonte lirinë dhe jetën. E thënë metaforikisht, Prennushi qe i prirë drejt jetës rregulltare qyshse foshnje, kur mori bekimin e pagëzorit.
Vinçenc Prennushi ka qenë folklorist, poet, publicist, përkthyes, klerik dhe martir shqiptar. Prennushi – ashtu si sivëllezërit e tij, të pushkatuar nga regjimi komunist – u lumnua më 5 nëntor 2016 në një celebrim të drejtuar nga Kardinali Angelo Amato. U lind në Shkodër më 4 shtator 1885. Në moshën 5-vjeçare, në vitin 1900, hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes. U shugurua meshtar në Tirol, ku kryente edhe studimet. Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Në vjetët 1909-1910 rroku penën dhe nisi të publikonte. Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijimtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e Lule”. Në sajë të zotërimit të disa gjuhëve të huaja, Imzot Prennushi do të merrej edhe me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkiewiz, “Burgjet e mia” e autorit italiani Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber. Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit.
Qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, dënuan dhe internuan, pas instalimit të regjimit komunist, i cili ndër të tjera synonte “të krijonte të ashtuquajturën parajsë tokësore në kundërshtim me besimet fetare”. Më 25 mars 1908, u shugurua meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. Me të ardhur në atdhe, Prennushi përjetoi një nga ngjarjet ma të rënda të qytetit të vendlindjes, të Shkodrës së rrethuar nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913. Më 14 mars 1914, kur në kalanë e Shkodrës u ngrit nën brohoritjen e mbarë popullit të Shkodrës flamuri kombëtar, do të ishte ai frati i zgjedhur që do të mbante fjalimin e rastit aty. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. U bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923– 24 formuan edhe fletoren e tyre “Ora e Maleve”, ku ishte ndër penat e rëndësishme.
Më 1924 botoi broshurën me 16 fletë “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, ku ka shfaqur mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Më 19 mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famulltar i Shkodrës, Imz. Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.
Në vitin 1945 Enver Hoxha i kërkoi takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi. Në atë takim, Hoxha, sipas një artikulli të Arshi Pipës me të cilin qe bashkëvuajtës në Burgun e Durrësit deri në verën e 1948, u “konsultua” me klerikët për problemet e Kishës Katolike në Shqipëri. Qëllimi i vetëm i takimit ishte që të impononte këndvështrimin e tij për fenë dhe Vatikanin. Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947).
Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbërë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”. Prennushi deklaroi se lufta e tij ishte kundër komunistëve e Partisë Komuniste që të mos ekzistonin, kur të formohej pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve. Më 19 mars 1949, i sëmurë me zemër, vdiq nga tortura çnjerëzore në burgun e Durrësit. U shpall “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës. Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.
“Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”! Kështu e kishte cilësuar Profesor Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prennushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prennushin”, prelatin e Kishës Katolike Shqiptare, të cilin e kujtojmë këtë muaj me rastin e 70-vjetorit të vdekjes nën tortura, si “armik i popullit” në burgun e Durrësit, në mars të vitit 1949. Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tij ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe studiuesit të rëndësishëm.
Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prennushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare. I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.
Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkëvuajtës me ‘ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve komuniste, përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prennushi. Në kujtimet e tij , për të cilin Arshiu shkruan se përveç se pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.” Pipa e përshkruan Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tij të patundura.
Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prennushin”, Arshi Pipa vënë dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prennushit, duke theksuar se, “dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fytyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.” Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqësuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prennushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.” Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prennushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shenjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja. Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe ideologjinë e tij komuniste antifetare dhe anti-kombëtare. Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prennushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tij ndaj fesë. Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prennushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.
I burgosur, i rrahur e i torturuar, “lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prennushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prennushi vuante nga zemra dhe astma. Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prennushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim.
Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prennushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorëve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkthyer në shqip. Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prennushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar: “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një refleks i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, -ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prennushi.
Në vitin 1911 boton me ndihmën e arkeologut dhe historianit Carl Patsch në Sarajevë “Visaret e Kombit, Kangë gegnishte”, folklor i mbledhur dhe i rreshtuar prej tij. Më 1918 botoi Fjala e Zotit si dhe romancën në vargje “Grueja shqyptare”, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, përshtatje në shqip të T. A. Rolando. Në 1921, botoi përmbledhjen e njohur poetike “Gjeth’ e Lule”, përmbledhje të cilën kritika e gjeti të bukur e delikate. Çabej e quajti “Poet i qytetit të Shkodrës”. Më 1931 boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”. Më 1939 poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhet në një antologji arsimore për shkollën e mesme. Më 1941 i shkruan parathënien përkthimit të veprës së Manzonit, “Të fejuemt”, nga At Mark Harapi. Qe pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret me zë të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka lënë një kontribut të madh me broshura e letra baritore për moralin e shëndoshë fetar.
Botoi përkthimin Fabiola, a kisha nën dhé e mî dhé të Kardinalit Viseman. Përktheu, gjithashtu, Danten dhe sociologun Weber. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin Quo Vadis të Sienkievicz. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s Burgjet e mia. La në dorëshkrim veprat “I hueji në shpi të vet” (Sh’Aleksi), “Kujtime udhëtimesh”, kallëzime e përshkrime udhëtimesh të dy vizitave baritore që bani si provincial i françeskanëve në vise të ndryshme të Shqypnisë në vjetin 1931 e vjetin 1934, “Kujtime shpirtnore”, në dy vëllime. Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme. Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë shqiptarë, që tashmë gjenden në Kongregatën përkatëse të Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.
Nga 31 poetë, dramaturgë, përkthyes, njerëz të artit të pushkatuar nga regjimi komunist 9 prej tyre ishin prelatë katolikë, në të gjitha rangjet. Mes tyre Vinçens Prennushi, atë Gjon Shllaku, atë Anton Harapi, dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Imzot Jul Bonati, atë Nikollë Gazulli, atë Benardir Palaj, të gjithë nga emrat më të shquar të shkencave shqiptare, disa nga të cilët kishin në momente të veçanta aktivë në polikë, por që ajo kishte qenë kurdoherë pasuesja e jo domethënia e jetës së tyre. Nga 146 artistë, shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes të burgosur, ekzekutuar apo vdekur në internim, një e katërta kanë qenë priftërinj të besimit katolik dhe më shumë se kaq i takojnë këtij besimi… Prennushi do të jetë njëri prej tyre. Ndoshta më i shquari.
Në listën e më të lartëve të hierarkisë kishtare. Intelektual i përkryer, njohës i disa gjuhëve, sidomos i gjermanishtes, e pasionuar pas muzikës, sidomos Mozartit dhe Bethovenit, ai me të njëjtin pasion grumbullon visaret e kombit, sidomos në Gegëri, ku edhe e shkon jetën e tij, pa harruar dashurinë e të pamatë për viset e tjera shqiptare. Prennushi do të jetë bashkëkryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të vitit 1946, së bashku me një tjetër emër të njohur, Sejfulla Malëshova dhe që do të kenë të njëjtin përfundim, vetëm se njëri, Prennushi, do të vdesë i kryqëzuar si Ati i tij shpirtëror, ndërsa tjetri, Malishova, i internuar, në një vetmi të madhe; do të jenë dy jetë dhe bindje të kundërta që do të ndëshkohen njëlloj.
Edhe në akthet e fundit, i përpëlitur nga dhimbja e pazakontë, prag vdekje, me shpinden e gjakosur nga dërraset e dyshemesë ku ishte shtrirë, si të kërkonte shartet e fundit, ai vuan se mos nuk kuptohet nga njerëzit e tij , se mos ajo që po heq nuk është e mjaftueshme për të dëshmuar sakrificën, belbëzon se “ gjithmonë kam menduar me ba mirë”, motivi i jetës së tij, sheh të vetë të munduar dhe vuan se nuk i ndihmon dot. Asnjë poet tjetër nuk mund të kishte parashikuar një fund të tillë për vete, se sa Prennushi me poemthin e tij. Një vizionar, misionar, martir dhe kryengritës pa asnjë armë tjetër veç shpirtit të tij.

ide

Bindja absolute dhe jeta e përjetshme!

Europa, gropa dhe shpëtimtari!

Sikur të kishim nja shtatë a tetë si Kreshnik Spahiu!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128