
Tri kërkesat që sollën “rrufetë” në Konferencën e Tiranës dhe tronditën Enver Hoxhën më 1956-ën! U propozua eliminimi i “kultit të individit” të ish-diktatorit

Ata që diskutuan në atë Konferencë ferr, kërkuan përgjithësisht, eliminimin e “kultit të individit” të Enver Hoxhës dhe demokratizimin e partisë, por ngritën, gjithashtu, edhe shumë probleme si për “gjendjen e mjeruar ekonomike të popullit!” e për “privilegjet e “Bllokut”, deri te kërkesa “për rehabilitimin e të dënuarve politikë” ndër vite që nga Koçi Xoxe deri te Tuk Jakova. Në fakt, siç shkruajnë dokumentet e kohës ato nuk qenë diskutime, por ishin pretenca ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Rezultoi nga diskutantët se njerëzit nuk po i duronin më privilegjet për udhëheqësit dhe kërkonin ndryshime, kërkohej liri mendimi, donin më shumë tolerancë, deri edhe rishikim të vijës së partisë për jetën në të gjithë vendin. Të gjitha këto historiografia komuniste ia ka mtefur herë jugosllavëve, më pas edhe sovjetikëve, dhe pas viteve ‘74 e ’82 edhe “tradhtarëve” Beqir Balluku e Mehmet Shehu. Mirëpo e vërteta del ndryshe, çka i shqetësonte “reformatorët” dhe i kishte mbushur ata ndër vite me mllef të ligjshëm, ndaj shpërthyen në Konferencë, si vendi më publik që i bashkonte forcat, ku kërkuan më shumë “liri e demokraci”
Krahas diskutantëve “reformatorët” që i ngrinin problemet ashtu siç ishin, spikati edhe gjuha e “Ezopit” e Enver Hoxhës dhe dhuna e të gjitha llojeve. Diskutantët në Konferencë bënë shumë pyetje, që rezultuan vrastare për ta, ndërsa Enver Hoxha duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre të bëra si p.sh. për Koçi Xoxen, u tha delegatëve se “krimet te ne nuk i ka kurdisur Beria, por Koçi Xoxe dhe veprimtarinë fraksioniste në kokën e partisë, ai e ka filluar që në vitin 1945. Madje përpara çlirimit të Shqipërisë… Prandaj dënimi i Koçi Xoxes, është plotësisht i drejtë, i faktuar dhe i merituar plotësisht”.
Para se të niste këtë monolog Enver Hoxha me qetësi të shtirur e studioi problemin, tatoi pulsin e delegatëve dhe “i zbërtheu” e i kundërvuri ata edhe ndaj njëri-tjetrit, e madje i asgjësoi një e nga një, duke dalë vetë fitimtar, kuptohet me Sigurimin, me Policinë dhe Ushtrinë me tanke. Lidhur me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun, Enver Hoxha do të konfirmonte në Konferencën e Tiranës se “nuk jam dakord me Vandush Vinçanin,(delegat në Konferencë) i cili kërkon që të rishikohet çështja. Komiteti Qendror është treguar zemërgjerë me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Tuku ka bërë gabime të mëdha. Fliste për fotografitë e shokëve të udhëheqjes që nuk janë radhitur në shtëpinë muze sipas kontributit. Vija e tij ishte revizionizmi i vijës së partisë. Çfarë të analizojë Komiteti Qendror, Manol Konomin?… Ose të marrim Abedin Shehun. Ai me shokë kanë dashur të godasin udhëheqjen, unitetin. Atëherë si t’i mbajmë në udhëheqjen e partisë sonë, si t’i mbajmë në Komitetin Qendror këta njerëz”?! ”Janë bërë kritika ndaj udhëheqjes- i u drejtua ai delegatëve- dhe kjo nuk është keq”. “Këtu u ngrit çështja e “kultit të individit”. Po ua shpjegoj…Te ne ka pasur dhe do të ketë jo sot por edhe mot, për shumë kohë”.
Me këto e gjuhën e “Ezopit” të Enver Hoxhës, mbaroi dita e parë e Konferencës, ndërsa dita e dytë e gjeti sallën të rrethuar jo vetëm me Polici e Sigurim, por edhe me Ushtri e tanke. Vijimi i fjalës së Enver Hoxhës ishte deklarimi se “mundet që disa njerëzve t’u ketë mbetur në merak, se si është puna e Koçi Xoxes. Edhe ajo ka qenë e drejtë”.
Nga ana historike përmendim se Enver Hoxha e mori fjalën ditën e tretë të Konferencës. Me mjeshtërinë e një demagogu, gjatë fjalës, ai që në fillim përmendi me emër Tahir Kadarenë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt atij me fjalët se “si mendon për këto çështje që them unë ti, Taho?…”, drejtim që për Tahir Kadarenë, që njihej në Ushtri dhe në të gjithë vendin si një luftëtar i vendosur antifashist i orëve të para dhe si një nga gjeneralët më të shquar të Ushtrisë, ishte një kërcënim i hapur. Si Tahir Kadareja, u vunë menjëherë në shënjestër e në ndjekje të organeve të Sigurimit, të gjithë diskutantët. Madje para se të vinte në Konferencë Enver Hoxha dha urdhër dhe vuri në gatishmëri kundër Konferencës forcat e Divizionit të Parë të Këmbësorisë (urdhër i cili u vu menjëherë në zbatim), ndërsa një batalion tankesh i komanduar nga Adnand Qatipi rrethoi me urdhër luftarak sallën e Konferencës.
Po cilat ishin pyetjet konkrete që e kishin shqetësuar Enver Hoxhën?! Po i rendis ashtu siç i kam gjetur në dosjen e ruajtur në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, ku përshihen materialet e kësaj konference:
1.”Përse nuk ka kritikë konkrete për punën, për shokë ministra e anëtarë të Komitetit Qendror si dhe kuadro të tjerë kryesorë”?
2.”A ka raste që njerëz që kanë kritikuar shokët me përgjegjësi të jenë persekutuar”?
3.”Përse Komiteti Qendror i Partisë së Punës nuk nxori asnjë konkluzion në frymën e Kongresit të 20-të PK të Bashkimit Sovjetik lidhur me të metat e partisë sonë, siç bënë partitë komuniste dhe punëtore të vendeve të tjera”?
4.”Përse nuk është sqaruar partia në mënyrë të organizuar mbi Partinë Komuniste të Jugosllavisë”?
5.”Në vetë Komitetin Qendror ka shumë shokë, burrë e grua. Përse nuk shikohet ky problem në udhëheqjen e Partisë, (Enver Hoxha-Nexhmija, Mehmet Shehu-Fiqrete, Liri Belishova-Maqo, Hysni KapoVitoja…) “?
6.”A nuk është tepruar që funksionarët të marrin ushqim të garantuar sa të duan e të mbajnë kuzhinierë me lekë nga qeveria”?
7.”Si është çështja e kultit të individit te ne dhe ajo në Byronë Politike”?
8.”Ulja e pagesës së punonjësve si mund të përputhet me parullën e Partisë për ngritjen e nivelit të jetesës së popullit”?
9.”Çfarë mund të blejë punëtori me 3000-4000 lekë në muaj”?
Pati edhe pyetje të tjera edhe më të guximshme si ajo e Nesti Zotos, drejtor i Kinostudios se “A e njeh Komiteti Qendror gjendjen e varfëruar të popullit dhe pse nuk tregon haptazi shkaqet e vërteta”? Kjo u shoqërua edhe me pyetje të tjera të kësaj natyre si “cili është shkaku që rrogat e funksionarëve të lartë të partisë e të shtetit u rritën, kurse të punonjësve të thjeshtë nuk luajtën ose u ulën”? Më pas edhe pyetje më të ndërlikuara që lidheshin me dënimet e disa kuadrove të larta të partisë. Ajo që spikati ishte se diskutimet e delegatëve në Konferencë, ishin shumë të hapura, të shprehura plot guxim. Mirëpo ky guxim u “shpërblye” me dënime te rënda. Me urdhër të Enver Hoxhës u morën masa të rënda partie e shtetërore ndaj Vehip Demit dhe Nesti Zotos, të cilët menjëherë u internuan dhe vdiqën në kushte shumë të rënda. U përjashtua nga partia, u hoq nga Kinostudioja kineasti Viktor Stratobërdha, kompozitorja e njohur e këngëve partizane Dhora Leka dhe shkrimtari Gjovalin Luka.
Nga Ministria e Bujqësisë u përjashtua nga partia e u transferua në Elbasan, pastaj u internua në Belsh zëvendësministri i saj Peco Kagjini. Larguan nga aparati i Komiteti Qendror të Partisë Vandush Vinçanin, nga Komiteti i Partisë së Tiranës zëvendës sekretarin e parë Njazi Jahon, nga RadioTirana Skënder Tupen, Masar Bekteshin, Findia Veizin e Sofokli Afezollin, nga gazeta “Zëri i Popullit” Adriatik Kanani, Taho Sejko u transferua në Shkodër ku më pas e arrestuan dhe e burgosën, Masar Shehu u dërgua të punonte mësues, etj. Nga gazeta “Bashkimi” u largua dhe më pas u burgos Ibrahim Zeneli dhe nga gazeta “Luftëtari” u largua dhe u internua Merkur Çela. Vetëm nga delegatët e Konferencës gjatë ditëve të punimeve të saj (punë që bëhej natën e nën terror), Sigurimi arrestojë 27 delegatët, të gjithë ata që kishin folur për gabimet e udhëheqjes së partisë, mes tyre zëvendës-ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes gjeneral-major Tahir Kadarenë, komandantin e Artilerisë së Ushtrisë gjeneral-major Hulusi Spahiu, gjeneral-major Nexhip Vinçanin, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Politike Pëllumb Dishnicën e shumë të tjerë. Më pas kjo punë vijoi me dhunë e terror edhe nëpër të gjithë organizatat e partisë në të gjithë vendin, ku bazuar te rezolucioni i Konferencës, u përjashtuan 4346 anëtarë të sajë, spastrim i pa parë ndonjëherë. Si konkluzion mund të thuhet se Konferenca e Partisë së Tiranës ishte beteja e humbur e komunistëve idealistë, që aspironin për pak demokraci./Panorama

ide

A Nive o Bash!

Bindja absolute dhe jeta e përjetshme!

Europa, gropa dhe shpëtimtari!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128