Kush ja dhuroi Sistemin Edi Ramës?

22 September 2026, 17:14 / POLITIKË ALFA PRESS
Kush ja dhuroi Sistemin Edi Ramës?

Sot Edi Rama kontrollon pushtetin politik dhe opozita denoncon vazhdimisht deformimin e zgjedhjeve, përdorimin e administratës, presionin mbi votuesit dhe pabarazinë në garë. Por përpara se të pyesim vetëm se çfarë i ka bërë Rama zgjedhjeve, duhet të bëjmë një pyetje tjetër: Kush e ndërtoi sistemin me të cilin zhvillohen këto zgjedhje?

Përgjigjja na çon në vitin 2008.

Sali Berisha dhe Edi Rama ndryshuan Kushtetutën dhe arkitekturën zgjedhore të Shqipërisë brenda natës me pazar të piset politik. Sistemi me 100 deputetë të zgjedhur në zona njëemërore dhe 40 mandate proporcionale u zëvendësua nga proporcionalja rajonale, me 12 qarqe shumëemërore. Arsyetimi i atëhershëm ishte eliminimi i deformimeve të sistemit të vjetër dhe fenomenit “Dushku”.

Por pas 18 vjetësh kemi detyrimin politik të pyesim: Çfarë prodhoi sistemi i vitit 2008?

Që në provën e parë, në vitin 2009, koalicioni i drejtuar nga Berisha mori vetëm 70 mandate, megjithse Berisha ishte KM dhe i drejtoj dhe kontrolloj vete zgjedhjet. Pra, nuk arriti të kishte 71 votat për të qeverisur. Për të krijuar shumicën, Berishës iu desh marrëveshja me Ilir Metën, kundërshtarin e tij politik. Më pas erdhi 2013. Pastaj 2017. Pastaj 2021.Dhe 2025. E djathta jo vetëm nuk u rikthye në pushtet, por harta e saj elektorale u tkurr. 

Mjafton të krahasojmë vetëm 2021 me 2025.

Në Shkodër, diferenca e PD ndaj PS ishte rreth 15,7 pikë në 2021. Në 2025 u tkurr në rreth 2,4 pikë. Në Lezhë, PD kishte rreth 47,4% kundrejt 38% të PS në 2021. Në 2025 dy forcat dolën praktikisht barazim. Në Dibër, nga një garë pothuajse e barabartë në 2021, PS kaloi në rreth 56,7% në 2025, ndërsa koalicioni i PD rreth 37,1%.

Në Durrës, avantazhi i PS u zgjerua, nga rreth 50,3% me 41,4%, në rreth 53,4% me 37,5%. Në Tiranë, PS qëndroi rreth 48%, ndërsa opozita kryesore zbriti nga rreth 39,1% në 34,5%. Në Elbasan, hendeku u thellua fort, nga rreth 55,2% me 37,1%, në rreth 61,4% me 27,8%. Në Korçë, nga rreth 48,9% me 40,8%, kaluam në rreth 55,9% me 32,6%.

Në Berat, PS kaloi nga rreth 56% në 60,7%, ndërsa opozita kryesore nga rreth 30,4% në 27,3%. Në Fier, diferenca bëhet dramatike, nga rreth 52,8% me 37,3% në 2021, në rreth 64,4% me 23,5% në 2025. Në Vlorë, nga rreth 57,9% me 31,5%, në rreth 60,4% me 24,5%. Në Gjirokastër, nga rreth 53,8% me 30,7%, në rreth 64,3% me 27,1%.

Ndërsa Kukësi mbetet një nga qarqet ku e djathta ruan epërsi, megjithëse konfigurimi i votës ka ndryshuar ndjeshëm.

Këto shifra nuk provojnë se sistemi zgjedhor është shkaku i vetëm i humbjeve të së djathtës. Ka përgjegjësi politike, organizative, kandidatura, pjesëmarrje, administrim zgjedhor dhe shumë faktorë të tjerë.

Por një gjë provojnë: Problemi është shumë më i madh se një palë zgjedhje.

Dhe këtu fillojnë pyetjet që Sali Berisha nuk mund t’i shmangë pafundësisht: Pse e ndryshove sistemin në vitin 2008?

Çfarë fitoi e djathta prej tij?

Pse nuk kërkon sot ndryshimin rrënjësor të sistemit zgjedhor?

Pse hyn përsëri në zgjedhje me një sistem që vetë e denoncon si pjesë të një procesi që nuk garanton votën?

Dhe mbi të gjitha: A beson realisht se e djathta mund ta marrë pushtetin me këto rregulla?

Nëse përgjigjja është PO, duhet të shpjegojë si. Nëse përgjigjja është JO, duhet të shpjegojë pse vazhdon të hyjë në zgjedhje pa e vendosur ndryshimin e sistemit dhe garancinë e votës në qendër të betejës politike.

Edhe Edi Rama nuk mund të fshihet pas ligjit. Të kesh një sistem të shkruar në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor nuk do të thotë automatikisht se ke një garë të barabartë. Rama duhet të përgjigjet për pushtetin që ushtron sot.

Berisha duhet të përgjigjet për sistemin që pranoi dje dhe strategjinë me të cilën kërkon pushtetin sot. Njëri përfiton nga sistemi. Tjetri ankohet prej sistemit. Por sistemi i vitit 2008 mban firmën politike të të dyve.

Prandaj Shqipërisë nuk i duhet më një pazar tjetër Rama- Berisha për rregullat e zgjedhjeve. I duhet një sistem ku vota të ketë peshë sa më të barabartë, mandatet të pasqyrojnë sa më drejt vullnetin politik të qytetarëve dhe administrimi i zgjedhjeve të mos jetë pronë e partive.

Sepse zgjedhjet nuk fitohen ditën kur numërohen votat. Demokracia fitohet ose humbet ditën kur shkruhen rregullat e lojës. Dhe pas 18 vjetësh, pyetja mbetet:

Sali Berisha, pse ia dhe Shqipërisë këtë sistem dhe pse nuk kërkon ta ndryshosh?

Edi Rama, pse të leverdis kaq shumë ta mbash?

Këto dy përgjigje Shqipëria ende i pret./AGORA

Po ndodh...

ide