Masakroi të dy prindërit me sqepar, flasin të afërmit e Florion Dalladakut: Ishte shtruar dy herë në Psikiatri

25 August 2026, 09:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë kriminale që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një familje, në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se sulmoi me sqepar dy prindërit e tij. Si pasojë, nëna e tij, 80-vjeçarja Fanije Dalladaku humbi jetën, ndërsa babai, 77-vjeçari Hasan Dalladaku mbeti i plagosur rëndë.

Sipas njoftimit të policisë, Florion Dalladaku dyshohet se në banesë dhe për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik, sqepar, nënën e tij, Fanije Dalladakun. 80-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Gjithashtu, 45-vjeçari ka plagosur rëndë edhe babain e tij, shtetasin Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas ngjarjes, Florion Dalladaku dyshohet se ka marrë automjetin e vëllait dhe është larguar nga vendngjarja. Rreth një orë pas krimit, ai është kapur nga shërbimet e Policisë pranë Spitalit Memorial në Fier.

Sipas dëshmive të të afërmve, 45-vjeçari kurohej prej vitesh për probleme të shëndetit mendor. Ata bëjnë me dije se gjatë gjashtë viteve të fundit ai ka qenë i shtruar dy herë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Të afërmit kanë treguar gjithashtu se, vite më parë 45-vjeçari kishte tentuar të vriste me armë zjarri, tip çifte, një bashkëfshatar. Për këtë ngjarje, ai ishte dënuar edhe nga drejtësia.

Ndërkohë, shërbimet e policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pritet që në vijim të dalin detaje të tjera lidhur me ngjarjen e rëndë.

 

Po ndodh...