Mbeti i plagosur nga atentati ku u vranë babë e bir në Dukagjin, Lazër Bashi eci 2 km në këmbë për të kërkuar ndihmë

“Na thavi krahin”. Këto janë fjalët e para pas një telefonate që bëri Lazër Bashi, shtetasi që mbeti i plagosur në ngjarjen ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir u qëlluan për vdekje me armë zjarri.
I plagosuri ka arritur që të shpëtojë mrekullisht ndërsa lëvizja e tij pasi u qëllua është si një skenar filmash. Bashi ndodhej në pjesën e pasme të fouristradës. Edhe pse mes një breshërie plumbash nga dy armë të ndryshme, ai arriti që të shpëtojë. Pasi është shtrirë, i plagosuri ka marrë një plumb në shpatull.
Ka pritur disa minuta derisa autorët janë larguar dhe më pas, nga fouristrada e kthyer në një anë nga humbja e kontrollit, ka arritur që të dalë. Bashi është siguruar që të ketë edhe celularin me vete. I plagosuri për shkak se në vendin ku ndodhi vrasja nuk ka sinjal telefonik, ashtu me plumbin në shpatull ka ecur në një distancë prej të paktën 40 minutash duke bërë një distancë prej afro 2 km në këmbë. Sapo ka mbërritur tek një lokal pas kryqëzimit ku lidhet rruga e Pultit me atë të Shoshit, Lazër Bashi ka telefonuar një të afërm dhe fjalët e para të tij janë: “Na thavi, krahin”. Më pas i plagosuri ka rrëfyer se si ai ndodhej në fouristradën me Prelë dhe Lekë Gjonin në mënyrë rastësore dhe se këta dy të fundit kishin mbetur të vdekur në vend. Bashi ka pastruar gjakun që i kullonte tek një çezme pranë lokalit dhe më pas ka pritur për transportimin e tij drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Gjatë gjithë kësaj lëvizje, i plagosuri ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku duke bërë që më pas të transportohet drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar nga ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës ende nuk ka arritur në identifikimin e autorëve në këtë ngjarje të rëndë me dy viktima dhe një të plagosur. Pistat kryesore të hetimit janë divorci i Lekë Gjonit 3 muaj më parë dhe një konflikt i para disa viteve. Efektivët kanë shoqëruar disa persona në polici por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me identifikimin e autorëve të mundshëm. Prelë dhe Lekë Gjoni u qëlluan nga dy persona me automatik kallashnikov dhe një MP5 duke zbrazur mbi 50 plumba ndërsa babë e bir humbën jetën në vend. Ata po ktheheshin nga shtëpia e vjetër në Dukagjin ku mbanin disa bletë drejt Shkodrës derisa i zunë pritë në rrugën e Xhanit.
Policia dhe prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së Lazër Bashit. Lekë Gjoni që është objektivi kryesor në këtë ngjarje të rëndë punonte me një kamion duke ngarkuar materiale ndërtimi dhe një eskavator në zonën e Dukagjinit. Ai nuk njihej si person problematik ndërsa punonte dhe lëvizte lirshëm çdo ditë. Familjarët kanë deklaruar se nuk janë në dijeni të ndonjë konflikti. Terreni i vështirë malor dhe fakti që zona nuk ka monitorim nga kamera sigurie e vështirëson punën për policinë në zbardhjen e kësaj vrasje të dyfishtë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128