Sa kushton rinia e përjetshme? Pikëpyetje mbi eksperimentin e guximshëm të miliarderit amerikan

17 Shkurt 2023, 14:18 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Sa kushton rinia e përjetshme? Pikëpyetje mbi eksperimentin e

Brajan Xhonson, një sipërmarrës shumë i pasur 45-vjeçar që jeton në Los Anxhelos, SHBA, ka në mendje vetëm një gjë: të ketë sërish trupin e një 18-vjeçari. Përpjekja e tij për të garantuar rininë e përjetshme do t’i kushtojë këtë vit të paktën 2 milionë dollarë.

Kjo është kostoja e ndjekjes 24 orë në ditë nga një ekip prej 30 mjekësh që do të monitorojnë gjendjen e trupit të tij, përcaktojnë dietën që duhet të ndjekë, ushtrimet fizike që duhet të kryejë dhe që do të vendosin se sa dhe si duhet të flejë. “Dua që i gjithë trupi im të jetë sërish 18-vjeç”- deklaroi ai për Bloomberg.

Xhonson zgjohet çdo ditë në orën 5 të mëngjesit. Konsumon mbi 20 suplemente (përfshirë likopenin për të përmirësuar shëndetin e arterieve dhe lëkurës, zink për të plotësuar dietën e tij vegane dhe një mikrodozë litium për shëndetin mendor). Ai kryen 25 ushtrime të ndryshme çdo ditë për 1 orë, dhe 3 herë në javë aktivitet fizik me një intensitet të lartë.

Gjatë ditës ai merr gjithsej 1.977 kilokalori, që vijnë vetëm nga ushqimi vegan. Pasi ha, i lan dhëmbët duke i shpëlarë me vaj çaji dhe përdor një xhel antioksidant për mishrat e dhëmbëve. Mjekët e tij thonë se në këtë mënyrë mishrat e tij janë po aq të shëndetshëm sa ato të një 17-vjeçari.

Po  ashtu Xhonson i nënshtrohet një terapie të përditshme për të përmirësuar dëgjimin në veshin e tij të majtë, i cili është dëmtuar nga udhëtimet me të atin për gjueti kur ishte fëmijë. Për të riparuar dëmtimin nga dielli në lëkurën e tij, Brajan përdor 7 kremra të ndryshëm çdo ditë, dhe i nënshtrohet trajtimeve javore me lazer.

Po ashtu i nënshtrohet disa procedurave mjekësore çdo muaj, disa prej tyre shumë të dhimbshme, dhe monitoron progresin e trupit me analizat e vazhdueshme të gjakut, ultratingujve dhe kolonoskopisë. Ai shkon të flejë në të njëjtën orë çdo natë, pasi mban syze të veçanta që bllokojnë për 2 orë dritën blu.

Parë nga jashtë, ajo e Xhonson duket si jeta vetëmohuese e një të çmenduri, të fiksuar pas ndaljes së plakjes (dhe ndoshta është i tillë). Megjithatë, rezultatet janë të dukshme. Sipas analizave, mosha e tij e përgjithshme biologjike është zvogëluar me të paktën 5 vjet.

Zemra e tij është si ajo e një 37-vjeçari, lëkura e tij si ajo e një 28-vjeçari, dhe mushkëria e tij ka kapacitetet e ngjashme me atë të një 18- vjeçari. “E di që mund të duket si një sjellje ekstreme, por unë po përpiqem të tregoj se degradimi fizik nuk është diçka e pashmangshme”- shpjegon ai.

Sipas Oliver Zolman, kreu i ekipit të mjekëve që monitoron regjimin e veçantë të Xhonson, rezultatet e arritura deri më tani nga sipërmarrësi janë modeste. Zolman synon të tregojë deri në vitin 2030 se është e mundur të reduktohet me 25 për qind plakja e 78 organeve të trupit të njeriut.

Pra Xhonson nuk është gjë tjetër veçse një kavie vullnetare, në kërkim të eliksirit të rinisë së përjetshme. Mjeket e tij thonë se shumë shpejt ai do t’i nënshtrohet edhe terapive gjenetike eksperimentale. Por çfarë kuptimi ka të kesh një trup shumë të ri, nëse nuk e përdor për të jetuar?./Bota.al

 

 

Po ndodh...