Moderatorja e njohur e Egjiptit dënohet me vdekje, akuzohet për prodhim dhe shpërndarje droge

6 September 2026, 09:40 / BOTA ALFA PRESS

Një gjykatë në Kajro ka dënuar me vdekje prezantuesen e njohur egjiptiane Sarah Khalifa, 39 vjeç, së bashku me 11 të pandehur të tjerë, pasi akuzohen për prodhim dhe trafikim të drogës.

Mediat egjiptiane e përshkruajnë ngjarjen si një "rast të madh droge", ndërsa vendimi përfundimtar u dha pas procesit të konsultimit me Myftiun e Madh të Egjiptit, ashtu siç kërkohet zakonisht në rastet e dënimit me vdekje në vend.

Referuar aktakuzës, Khalifa dhe të pandehurit e tjerë akuzoheshin për krijimin e një rrjeti për të furnizuar materiale të përdorura në prodhimin e drogërave sintetike me qëllim trafikimin e tyre.

Autoritetet vendase pretendojnë se gjatë kontrolleve të ushtuara në sajë të hetimeve për rastin konkret, u sekuestruan më shumë se 750 kilogramë substanca narkotike dhe lëndë të para, ndërsa u lokalizuan dhe disa hapësira që dyshohet se përdoren si laboratorë, si dhe armë dhe municione pa licencë.

Sarah Khalifa u bë e njohur për publikun egjiptian përmes shfaqjes "Mission Impossible", e cila përqendrohej në çështjet e sigurisë dhe krimit. Përveç karrierës në botën e televizionit, ajo drejtonte edhe një klinikë të kirurgjisë kozmetike dhe një kompani prodhimi eventesh.

Në seancën paraprake të mbajtur në lidhje me çështjen e hapur ndaj saj, ajo i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk kishte të bënte fare me drogën duke pretenduar se i ka parë për herë të parë ato kur autoritetet i treguan fotot e tyre. Pavarësisht dënimit të dhënë, raportohet se çështja nuk është mbyllur, pasi të pandehurit kanë të drejtë të apelojnë vendimin.

 

Po ndodh...

ide