Në hetim për dosjen “Balluku”, Gentian Gjyli kërkon heqjen e masës së sigurisë

19 August 2026, 15:05 / POLITIKË ALFA PRESS

Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, i është drejtuar këtë të mërkurë Gjykatës së Posaçme me kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj tij.

Kërkesa e ish-kreut të ARRSH-së pritet të shqyrtohet nga GJKKO, ndërsa procesi gjyqësor vijon në kuadër të hetimeve për procedurat e ndjekura për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Gentian Gjyli, është marrë i pandehur nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, në dy episode.

Sipas akuzës, çështja lidhet me procedura prokurimi të ARRSH-së, ndër të cilat është përmendur edhe tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe procedura të tjera të prokurimit rrugor.

Në prill 2026, SPAK kërkoi për Gjylin 1 vit e 6 muaj burg, si dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar për burgim reduktohet me një të tretën.

Aktualisht, Gjyli ndodhet në “arrest shtëpie”, ndërsa në korrik 2026 SPAK i komunikoi zgjatjen me tre muaj të hetimeve për dosjen që përfshin tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

 

 

Po ndodh...