Shqipëria e Re kërkon energjinë transformuese dhe mendjen e bukur, të çdo gruaje dhe vajze që guxon

19 August 2026, 17:01 / IDE NGA TAULANDA JUPI
Shqipëria e Re kërkon energjinë transformuese dhe mendjen e

Nga Taulanda Jupi

Pas 80 ditësh rezistencë, një nga pamjet më domethënëse të kësaj proteste është prania e grave dhe vajzave. 

Pas çdo gruaje dhe vajze që qëndron sot në këtë protestë ka një histori që nuk e njohim. Beteja të fituara e të humbura në heshtje, përgjegjësi të mbajtura mbi supe, zhgënjime që nuk i kanë mposhtur dhe sfida që i kanë mësuar të vazhdojnë përpara edhe atëherë kur askush nuk e ka parë betejën e tyre. Forca e tyre nuk është gjithmonë e dukshme, por pikërisht aty qëndron vlera e saj. Ajo që sjellin sot në shesh nuk është vetëm zemërimi i një dite, por gjithë përvoja, sfidat, dhimbjet, mësimet dhe guximi që i kanë formuar. Janë këtu jo vetëm për të kundërshtuar atë që nuk duan më, por për të sjellë energjinë dhe vizionin e asaj që duan të ndërtojnë.

Prania e tyre, qëndresa e tyre nuk është një çështje e të drejtave të grave. Është një çështje e potencialit të shoqërisë. Sa vlen për Shqipërinë forca, mendja, talenti, përvoja dhe energjia e grave dhe vajzave të saj? Çfarë fiton një vend kur ky potencial merr pjesë realisht në jetën publike dhe çfarë humbet kur ai mbetet jashtë saj?

Për vite me radhë, politika shqiptare ka folur për përfaqësimin e grave. Veçanërisht vitet e fundit, propaganda e Edi Ramës e ka vendosur praninë e grave në qeveri dhe institucione në qendër të narrativës së tij për “modernizimin” e politikës. Por këtu duhet bërë dallimi që shpesh humbet mes statistikës dhe substancës. Çështja nuk është sa gra kemi në “fotografitë e pushtetit”, por sa mendje të lira e të pavarura kemi në vendimmarrje.

Përfaqësimi pa meritë është vetëm statistikë. Përfaqësimi me meritë bëhet forcë transformuese.

Suksesi i një shoqërie nuk matet me numrin e grave në “tryezën e vendimmarrjes”, por me lirinë e tyre për të menduar ndryshe në atë tryezë. Një grua, ashtu si çdo individ, nuk fuqizohet sepse pushteti i jep një karrige. Fuqizohet kur dija dhe aftësia e saj i japin një zë që pushteti nuk mund ta blejë.

Pikërisht këtu prania e grave dhe vajzave në këtë rezistencë merr një kuptim tjetër. Ato nuk janë aty sepse dikush i ka vendosur në një listë, i ka emëruar në një detyrë apo i ka përfshirë në një statistikë. Janë aty sepse kanë zgjedhur vetë të jenë.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një rotacion politik. Ka nevojë për një ndryshim të mënyrës së të menduarit dhe të të bërit politikë.

Në këtë kuptim, energjia, mendja e bukur, kreativiteti, përgjegjësia dhe maturia e grave dhe vajzave nuk janë një çështje që u përket vetëm atyre. Janë pasuri e gjithë shoqërisë.

Shqipëria e Re nuk është një projekt që presim të vijë nga diku. Është potenciali që ekziston sot brenda shoqërisë dhe që pret të marrë hapësirë, përgjegjësi dhe drejtim. Dhe në këtë potencial, mendja, energjia dhe mençuria e grave dhe vajzave shqiptare janë ndër burimet më të mëdha të transformimit.

Ndoshta kjo është edhe domethënia më e bukur e pranisë së tyre në këtë rezistencë qytetare.

Shqipëria e Re do të lindë jo vetëm nga ajo që do të rrëzojmë, por nga idetë, vizioni dhe përgjegjësia me të cilën do të zgjedhim ta ndërtojmë.

Gjithmonë kam besuar në forcën që mund të gjenerojë një grua. Por pas 80 ditësh rezistencë, besoj edhe më fort se Shqipëria e Re është në energjinë dhe mendjen e bukur të çdo gruaje dhe vajze që guxon ta imagjinojë, që ka vizionin ta shoh në horizont atë që shoqëria shqipare kërkon sot.

Po ndodh...