Nuk kanë marrë ende kompensim për karburantin, Shoqatat e Transporti Publik paralajmërojnë: Do reduktojmë autobusët!

12 August 2026, 11:22 / AKTUALITET ALFA PRESS

Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin e flotës urbane nëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk marrin një përgjigje nga qeveria për kompensimin e karburantit.

Për News24, përfaqësues të operatorëve shprehen se vonesa në pagesat për muajt mars, prill dhe maj po rëndon ndjeshëm financat e kompanive të transportit.

Qeveria ka miratuar skemën e kompensimit me 50 lekë për litër karburant për operatorët e transportit publik. Megjithatë, sipas tyre, edhe pse dokumentacioni i nevojshëm është plotësuar, fondet ende nuk janë disbursuar.

Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar Ministrise të Financave, te Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor dhe Bashkisë Tiranë, duke kërkuar informacion mbi arsyet e vonesës si dhe përcaktimin e një afati konkret për pagesat.

Operatorët thonë se gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të përballojnë me fondet e tyre kostot e aktivitetit, ndërsa çmimi i karburantit mbetet i lartë. Përveç pagesës së kompensimit për tre muajt e kaluar, ata kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë çmimet e karburantit mbeten në nivele të larta.

Operatoret thonë se reduktimi i numrit te mjeteve urbane në qarkullim do të ndikonte në frekuencën e autobusëve dhe kapacitetin e transportit publik, duke prekur drejtpërdrejt qytetarët. Operatorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për disbursimin e kompensimit të miratuar dhe një vendim për vijimin e mbështetjes financiare.

Po ndodh...