Reportazhi/ Gazeta franceze LE FIGARO: Berisha ndan pushtetin me Ramën, Revolucioni i Flamingove nuk ndalet

Kundërshtimi ndaj qeverisë së Edi Ramës, e akuzuar për korrupsion, nuk po zbehet që kur ai i dha Ivanka Trump-it, vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, mundësinë për të ndërtuar një kompleks turistik në një zonë të mbrojtur, deri tani të frekuentuar nga flamingot rozë.
LE FIGARO
Një thirrje e madhe ngrihet në zemër të Tiranës, pranë statujës së Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeu, heroit kombëtar të Shqipërisë dhe simbolit të rezistencës ndaj Perandorisë Osmane në shekullin XV. Qindra protestues mblidhen në sheshin Skënderbej, ku arkitektura italo-fashiste bashkëjeton me ndërtesa shqiptaro-sovjetike. Rreth orës 19:00, ata nisen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Champs-Élysées e kryeqytetit shqiptar, për t'u grumbulluar përpara zyrës së kryeministrit. Adoleshentë dhe të moshuar ecin së bashku, në një atmosferë të qetë dhe paqësore.
Çdo mbrëmje, prej më shumë se dy muajsh, ata mblidhen për të kundërshtuar qeverinë e Edi Ramës. Ky i fundit i ka dhënë Ivanka Trump-it dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, statusin e investitorëve strategjikë për realizimin e një kompleksi të madh luksoz me vlerë katër miliardë dollarë në ishullin e Sazanit, përballë qytetit të Vlorës dhe pranë lagunës së Nartës, ku tashmë kërcënohet një rezervat natyror i flamingove rozë.
Projekti i familjes Trump daton që nga viti 2024, por revolta është shumë më e re. Shkëndija që ndezi protestat erdhi në fund të majit, kur në rrjetet sociale qarkulloi një video ku shfaqeshin aktivistë mjedisorë duke u keqtrajtuar nga pjesëtarë të sigurisë private, ndërsa kundërshtonin projektet e vajzës së banorit të Shtëpisë së Bardhë në zonën e mbrojtur të gadishullit të Nartës.
Këto rrahje tronditën shqiptarët, të cilët, edhe dy muaj më vonë, vazhdojnë të thërrasin: “Shqipëria nuk është në shitje.”
Një rresht i shpërndarë i Policisë së Shtetit qëndron në gatishmëri, por në një distancë të konsiderueshme. Përfaqësues të tjerë të forcave të rendit, disi të lodhur, janë ulur në parkun e afërt “Ismail Qemali”, mbi kupolën e një bunkeri të braktisur. I ndjeri diktatori Enver Hoxha ndërtoi rreth 176.000 bunkerë në një shtet jo shumë më të madh se Bretanja.
“Vendi po shpopullohet”
Ashtu si miqtë e tij, Arbeni, rreth të tridhjetave, nuk e fsheh zemërimin.
“Edi Rama është krejtësisht i korruptuar. Ai kontrollon vendin dhe drejton trafikun e drogës. Nuk do të ndalem së protestuari derisa të japë dorëheqjen”, thotë ky burrë gati dy metra i gjatë.
“Rama në burg!”, thërrasin në kor protestuesit.
Protesta ka mbledhur vetëm disa qindra persona atë mbrëmje, por ky numër nuk është përfaqësues. Në ditë të caktuara, banorët e Tiranës dalin në rrugë në dhjetëra mijëra.
“Edhe sot kemi protestuar përpara parlamentit, prandaj këtu ka më pak njerëz”, shpjegon Arbeni.
Në të vërtetë, mobilizimi nuk po dobësohet. Çdo ditë, të rinjtë sjellin një gjenerator, mikrofona, një foltore dhe karrige për të moshuarit, përballë zyrës së Edi Ramës.
Zemërimi shprehet hapur. Tre vajza nga 16 deri në 18 vjeç kanë ardhur të protestojnë “për të ardhmen e vendit”. Sepse, siç shpjegon Arbeni dhe tre miqtë e tij, Shqipëria ka mbetur prapa Evropës.
“Vendi po shpopullohet. Nuk është normale që të ketë më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit sesa brenda tij. Ky është një gjenocid. Ne nuk po përparojmë; çdo ditë bëhemi pak më të varfër. Nuk duam të emigrojmë më, si prindërit tanë, por të jetojmë në vendin tonë dhe ta zhvillojmë atë”, thotë njëri prej tyre.
Obayda, shofer taksie
“Nëna ime është 76 vjeç. Ka punuar për 35 vjet si kryemekanike në një fabrikë. E gjithë kjo për një pension prej 170 eurosh në muaj. Ajo e kujton me nostalgji kohën e komunizmit.”
Arbeni ka jetuar në Budapest, por pa vizë pune. Ai thekson se kjo situatë nuk ishte e qëndrueshme. Pasojat e emigrimit shqiptar ndonjëherë janë dramatike.
Një burrë shtatlartë, bjond dhe me muskuj të theksuar, e dënon këtë situatë në një frëngjishte të përsosur: “Jam bojaxhi. Shkova të jetoja në Grenoble në vitin 2014, por kur mbërrita në atë qytet, kontrata e punës që më kishin premtuar nuk ekzistonte. U përballa me një rrjet kriminal shqiptar. Më thanë: ‘Do të punosh si trafikant droge’. Ishte ose ta pranoja këtë, ose të ekzekutohesha. Policia gjyqësore e Grenoble-s më arrestoi me pesë gramë heroinë. Bëra katër vjet burg.” Jashtë Tiranës, shqiptarët jetojnë në varfëri të madhe.
Obayda, shofer i aplikacionit lokal të taksive Vrap On, tregon: “Nëna ime është 76 vjeç. Ka punuar për 35 vjet si kryemekanike në një fabrikë. E gjithë kjo për një pension prej 170 eurosh në muaj. Ajo e kujton me nostalgji kohën e komunizmit. Të gjithë të moshuarit e duan shumë epokën e Enver Hoxhës”, thotë Obayda duke qeshur. Megjithëse protestat janë paqësore, në fillim të korrikut situata u përshkallëzua. Rreth 20 aktivistë u arrestuan dhe rreth 15 policë u plagosën.
Më pas, më 23 korrik, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të mbrojtur parlamentin. “Le të shkojnë të pirdhen”, u tha Edi Rama protestuesve në një intervistë për Financial Times.
Këtë mbrëmje, vetëm disa dhjetëra metra larg zyrës së kryeministrit 62-vjeçar, një protestues mban lart një portret të Ramës, të paraqitur me një zinxhir rreth qafës.
Njëra prej tre adoleshenteve ka mbështjellë shpatullat me flamurin shqiptar, shqiponjën e zezë dykrenare mbi sfondin e kuq.
“Dorëheqje!”, bërtet ajo bashkë me protestuesit e tjerë, drejtuar kryeministrit.
Pesha e krimit të organizuar
Kur u zgjodh kryeministër në vitin 2013, Edi Rama premtoi se do të luftonte korrupsionin. Më shumë se një dekadë më vonë, korrupsioni nuk ka qenë kurrë më i fuqishëm. Tenderët publikë janë gjithçka përveçse transparentë dhe u jepen vazhdimisht të njëjtëve sipërmarrës të paskrupullt.
Një protestues tund një pankartë ku shkruhet: “50 ditë kundër korrupsionit”.
Por “shumë njerëz kanë frikë. Sistemi është tërësisht mafioz. Agjentët ju fotografojnë gjatë protestave dhe më pas njerëz nga forcat speciale vijnë në shtëpinë tuaj për t’ju keqtrajtuar”, thotë Fatosi, rreth të njëzetave.
“Kanë ruajtur disa nga zakonet e vjetra të kohës së komunizmit”, thotë ai duke buzëqeshur, duke iu referuar ish-policisë sekrete, Sigurimit.
Arbeni tregon një karikaturë në një pankartë. “Ky është një patronazhist.” (intimidues dhe informator, sipas shënimit të autorit).
Po shtypi?
“Ne mund ta bëjmë punën tonë lirisht. Nuk kemi presione”, thotë shkurt një kameraman i Syri TV.
Kolegu i tij nga News 24, Andi Liabouti, është më i rezervuar. Ashtu si ai, shumë shqiptarë e përshkruajnë sistemin si “mafioz”.
Në këtë vend, krimi i organizuar është i pranishëm kudo. Si Këshilli i Evropës, ashtu edhe Reporterët pa Kufij, vënë në dukje se oligarkë kontrollojnë mediat, të cilat përballen me presione dhe intimidime.
“Gazetarët mund ta bëjnë punën e tyre vetëm deri në njëfarë kufiri. Për sa kohë që nuk e shqetësojnë Edi Ramën dhe nuk bëjnë gazetari investigative. Vetëm dje u vra një gazetar. E paraqitën si aksident, por ishte vrasje”, pretendon një prej protestuesve.
Gazetari investigativ Enrik Mehmeti, i njohur për hetimet e tij në zonën e Vlorës, ku është parashikuar projekti Trump-Kushner, vdiq më 18 korrik në një aksident me motor katërrotësh (quad), shkaqet e të cilit ende nuk janë sqaruar.
Stereotipet janë të vështira për t'u zhdukur në Shqipëri, por krimi i organizuar është realisht shumë i pranishëm.
Në vendin më të varfër të Evropës, Mercedesët e zinj me xhama të errët dhe sedanët luksozë gjermanë bien në kontrast të fortë me varfërinë e popullsisë.
Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, rreth 40% e regjistrimeve të reja të automjeteve janë makina gjermane.
Përveç korrupsionit dhe krimit të organizuar, Edi Rama është bërë simbol i të gjitha dështimeve të një kombi me 2,4 milionë banorë, i cili në rënien e komunizmit kishte rreth katër milionë banorë.
“Asgjë nuk funksionon në këtë vend. Konglomeratet amerikane të gazit po na plaçkitin. Trumpi do ta blejë Shqipërinë për një thërrime. Shqipëria nuk është në shitje. Aq më pak nëse për këtë çdo shqiptar do të marrë vetëm një thërrime”, thotë Fatosi.
I riu dhe protestuesit e tjerë duan të pengojnë projektet e çiftit Trump-Kushner në Adriatik.
Ivanka Trump ka thënë se “u dashurua me ishullin e Sazanit”, një ish-bazë ushtarake me 3.600 bunkerë dhe tunele të braktisura.
Sazani ka qenë me radhë nën sundimin romak, bizantin, është pushtuar nga Republika e Venedikut dhe më pas nga Perandoria Osmane, përpara se Italia ta merrte nën kontroll në vitin 1914.
Pas vitit 1947, në kohën e Enver Hoxhës, Bashkimi Sovjetik vendosi aty nëndetëse.
Për të shkuar në atë që CIA e quajti “Gjibraltari i Kuq” në një dokument të deklasifikuar të vitit 1961 — pasi Sazani kontrollon ngushticën e Otrantos — duhet të lundrosh nga qyteti i Vlorës, në Rivierën shqiptare, drejt ishullit, i cili ndodhet 19 kilometra nga kontinenti.
Porti është rrënuar, por ende strehon disa ushtarë dhe një anije të vogël patrulluese të ushtrisë shqiptare.
Ivanka dhe Jaredi u mahnitën menjëherë nga ky ishull i thatë prej 5 kilometrash katrorë, me disa plazhe me gurë të mëdhenj dhe të banuar nga gjarpërinj helmues.
Përveç nëse vajza e Donald Trumpit — e cila ka thënë në një podcast të biografit David Senra se kishte “ecur zbathur” në shtigjet shkëmbore të Sazanit — është tërhequr nga ndërtesat ushtarake që kërkojnë heqjen e asbestit, fabrika e armëve kimike, kilometrat e tuneleve dhe mijëra eksplozivët që duhet të çaktivizohen...
Në kohën e Enver Hoxhës, 5.000 ushtarakë dhe familjet e tyre jetonin në ishull.
Shtëpia e Benito Musolinit, tashmë e rrënuar, dominon gjirin, së bashku me ndërtesat e nomenklaturës komuniste shqiptare.
Sazani ende ka mina.
Si ajo minë kundër personelit që ndodhet buzë një shtegu, jo shumë larg një bunkeri mbi të cilin shëtitësit kanë shkruar:
Në një intervistë të raportuar nga Vanity Fair, Jared Kushner deklaroi: “Nuk kisha parë kurrë një ishull kaq të ruajtur. Nuk arrija ta besoja se një vend kaq i paprekur mund të ekzistonte ende në mes të Mesdheut, pa qenë zhvilluar.”
Drejt një ndryshimi të qëndrimit të Edi Ramës?
Në Tiranë, pavarësisht protestave ende të mëdha më 4 gusht, alternativa politike vazhdon të mungojë.
Partia Demokratike e djathtë e Sali Berishës, 82 vjeç, ish-president dhe ish-kryeministër në vitet 1990 dhe 2000, i dënuar për korrupsion, e ndan pushtetin politik me Partinë Socialiste të Ramës.
Misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në vitin 2025 “raportoi raste shqetësuese të intimidimit dhe presionit të ushtruar ndaj nëpunësve publikë dhe votuesve të tjerë”.
Edi Rama këmbëngul se nuk do të japë dorëheqjen. Ai sulmon protestuesit dhe përsërit: "Dhuna fizike është tashmë e vetmja gjë për të cilën janë të aftë këta të dështuar me mendje të ngushtë, të manipuluar nga duar të huaja.”
Këto akuza për ndërhyrje të huaja nuk janë mbështetur kurrë me prova.
Megjithatë, Edi Rama duket se po tërhiqet disi, i vënë nën presion nga Bashkimi Evropian (BE), të cilit ai dëshiron t’ia bashkojë vendin me çdo kusht.
Një ditë pas konferencës për shtyp që pasoi Konferencën e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e mbajtur më 14 korrik, kryeministri pranoi një nga kërkesat e protestuesve dhe të BE-së.
“Duhet ta shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e tij”, deklaroi Edi Rama.
Ndërsa kryeministri shqiptar po bën disa lëshime, projektet e Jared Kushnerit dhe Ivanka Trumpit, nga ana tjetër, duket se prej disa ditësh ndodhen në një situatë shumë të vështirë.
Agjencia kombëtare shqiptare kundër krimit të organizuar, SPAK, sapo ka zbuluar se një biznesmen shqiptaro-amerikan, Artur Shehu, i kërkuar nga Tirana për trafik droge, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë që investitorët e lidhur me Jared Kushnerin kishin blerë për zhvillimin e projektit të kompleksit turistik që shkaktoi protestat e fundit.
Në këtë rast, dhëndri i Donald Trumpit mund të ketë qenë viktimë e një mashtrimi — pikërisht atij mashtrimi që, në mënyrë paradoksale, ndezi “revolucionin e flamingove rozë”./ Përshtati në shqip Alfapress.al
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128