Kosova në planin e Farage për burgjet britanike: Kriminelët do t’i dërgojmë atje
Lideri i Partisë Reform UK, Nigel Farage, ka deklaruar se personat që kanë shkuar në Britaninë e Madhe dhe kryejnë vrasje ose përdhunime duhet të dërgohen për të vuajtur dënimin në burgje jashtë vendit duke përmendur si opsion dhe Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi: “Nëse keni ardhur në Britani dhe keni vrarë ose përdhunuar dikë, do t’ju dërgoj në një burg në El Salvador, Kosovë ose diku tjetër, pa asnjë hezitim.” Deklarata vjen në kuadër të prezantimit të planit të Reform UK për deportimin e të gjithë të burgosurve të huaj nga burgjet britanike, përfshirë mundësinë e dërgimit të tyre në vende të treta.
Farage ka qenë prej vitesh një nga zërat më të ashpër kundër emigracionit. Ai ka kërkuar ngrirjen e emigracionit jo thelbësor, deportimin e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Britani dhe masa më të forta për kontrollin e kufijve, duke e bërë emigracionin një nga temat kryesore të programit të Reform UK.
Reform UK është aktualisht një nga forcat kryesore politike në Britani. Partia e drejtuar nga Farage renditet mes partive me mbështetjen më të lartë në sondazhet kombëtare, duke konkurruar me Laburistët dhe Konservatorët.
Partia është zotuar të deportojë mbi 10 mijë shtetas të huaj që aktualisht vuajnë dënimin në burgjet e Britanisë.
Zëdhënësi i saj për Çështjet e Brendshme, Zia Yusuf, shkroi në rrjetin X se, nëse vendet e origjinës nuk pranojnë t’i marrin mbrapsht, kriminelët do të dërgohen “të vuajnë dënimin në vende si El Salvadori dhe Kosova.”
Sipas raportimeve të mediave britanike, Nigel Farage ka nisur tashmë bisedime me El Salvadorin, i njohur për burgjet e tij gjigante me masa shumë të ashpra sigurie.
Një delegacion i Reform UK pritet të udhëtojë në muajt në vijim drejt vendit të Amerikës Qendrore për të diskutuar mundësinë e dërgimit të kriminelëve të huaj në ato burgje.
Duke prezantuar politikën e partisë për burgjet, Zia Yusuf u zotua se Reform UK do të “ndryshojë ligjin, në mënyrë që personat që kryejnë krime të rënda si vrasje, vrasje pa paramendim, përdhunim dhe akte të rënda dhune të vuajnë të plotë dënimin e tyre.”
“Është e pabesueshme që në burgjet britanike ndodhen mbi 10 mijë shtetas të huaj. Ne do t’i deportojmë të gjithë shtetasit e huaj nga burgjet tona. Nëse vendet e tyre nuk i pranojnë, do t’i dërgojmë të vuajnë dënimin në vende si El Salvadori dhe Kosova. Hapësirën e krijuar do ta përdorim për të siguruar që kriminelët e rrezikshëm të qëndrojnë aty ku e kanë vendin – pas hekurave”,- tha Yusuf.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128