Rasti Kalanxhi/ Kush e mbron prokurorin që guxon të flasë?

10 August 2026, 19:34 / AKTUALITET ALFA PRESS
Rasti Kalanxhi/ Kush e mbron prokurorin që guxon të flasë?

Nga Ermal Peçi

Në Shqipëri, kur flitet për drejtësinë, pothuajse të gjithë sytë janë te SPAK-u. Aty është përqendruar beteja mediatike, politike, por edhe interesat e shumta që rrotullohen rreth saj. Por, në këtë vorbull, shpesh harrojmë se drejtësia nuk fillon dhe nuk mbaron te SPAK-u. Ka prokurorë, gjyqtarë dhe institucione të tjera që çdo ditë përballen me përgjegjësinë për të zbatuar ligjin.

Dhe pikërisht këtu merr rëndësi rasti i prokurores Anjeza Kalanxhi.

Në drejtësi, ndonjëherë pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm kush dënohet. Është çfarë ndodh me atë që ngre zërin kur beson se diçka nuk shkon.
Rasti i Kalanxhit kërkon vëmendje jo vetëm për masën disiplinore të marrë ndaj saj, por mbi të gjitha për atë që ajo pretendon se ka denoncuar.

Sipas materialeve të publikuara dhe deklarimeve të saj, Kalanxhi ka ngritur shqetësimin për një ndërhyrje të mundshme në një çështje penale. Bëhet fjalë për një rast ku ajo kishte kërkuar “arrest me burg”, ndërsa më pas masa u ndryshua në arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit në Tiranë.

Është raportuar gjithashtu se, përpara ndryshimit të masës, personi nën hetim i kishte thënë prokurores se do të lirohej nga Tirana. Kjo, natyrisht, nuk është provë në vetvete për një ndërhyrje. Por është një rrethanë që kërkon verifikim serioz.

Kur një prokuror ngre një dyshim për mënyrën se si është trajtuar një çështje penale, pyetja nuk mund të jetë vetëm nëse prokurori ka vepruar siç duhet.

Duhet të jetë edhe: Çfarë ndodhi me atë që denoncoi?

Sipas materialeve të publikuara, Kalanxhi iu drejtua institucioneve përkatëse për të ngritur shqetësimin e saj. Por historia mori një tjetër kthesë: prokurorja që pretendonte se po denonconte një problem brenda sistemit u bë vetë subjekt i procedimit disiplinor.
Më 26 korrik 2026, KLP vendosi ndaj saj masën “vërejtje publike”, me 5 vota pro dhe 4 kundër.

Pikërisht këtu nis pyetja që nuk lidhet më vetëm me një prokurore. Nëse Kalanxhi ka shkelur procedurat, kjo duhet të përcaktohet nga institucionet dhe të argumentohet me prova. Drejtësia nuk mund të zëvendësohet nga opinioni publik.

Por, në të njëjtën kohë, edhe pretendimi për ndërhyrje nuk mund të humbasë mes një procedure disiplinore. Nëse denoncimi ishte i pabazuar, sistemi duhet ta provojë. Nëse ishte i vërtetë, sistemi duhet ta zbulojë.

Ajo që nuk mund të ndodhë është që të ndëshkohet denoncuesi dhe të harrohet denoncimi. Senëse një prokuror që ngre alarmin përfundon vetë nën procedim, çfarë mesazhi merr pjesa tjetër e sistemit?
Mos fol.

Nëse këtë mesazh e merr një prokuror brenda sistemit, çfarë duhet të mendojë qytetari i zakonshëm që kërkon të denoncojë një padrejtësi?
Këtu qëndron edhe një nga provat më të rëndësishme për reformën në drejtësi.

Ajo nuk matet vetëm me arrestime, dosje apo vendime. Matet edhe me mënyrën se si sistemi sillet me njerëzit brenda tij kur ata ngrenë pyetje, denoncojnë probleme apo kërkojnë që një dyshim të verifikohet. Një drejtësi e fortë nuk është ajo që nuk kritikohet. Është ajo që nuk ka frikë të kontrollojë edhe veten.

Prandaj, rasti Kalanxhi nuk duhet parë thjesht si një procedim disiplinor ndaj një prokuroreje. Duhet parë si një test për vetë sistemin.

Jo për të shpallur fajtorë apo të pafajshëm nga një shkrim. Por për të kërkuar një përgjigje të thjeshtë:
A u hetua denoncimi me të njëjtin seriozitet me të cilin u hetua denoncuesja? Në fund të fundit, një sistem drejtësie nuk mund të kërkojë vetëm që qytetari të ketë besim tek ai. Duhet t’i japë qytetarit arsye për të besuar.

Koha ka treguar se  drejtësia kërkon që prokurorët të kenë kurajë të flasin kur shohin diçka që nuk shkon, atëherë duhet të ketë edhe një përgjigje për pyetjen më të vështirë: Kush e mbron prokurorin që guxon të flasë?

Po ndodh...