Sherri në burgun e Fierit, dyshohet se ‘Licët’ i dërguan mesazh anëtarit të ‘Bajrave’, Burgjet firmosin përjashtimin për 8 policë!
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetim disiplinor për 8 policë të Burgut të Fierit, pas sherrit mes anëtarëve të grupeve kriminale. Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka firmosur edhe urdhrin për përjashtimin e 8 policëve, 2 prej të cilëve akuzohen për mosdhënie informacioni, ndërsa të tjerët për mospërmbushje të detyrave.
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun që çoi në përplasjen mes Aldo Gjinit të grupit të Rrajave dhe Jurgen Zotos me Denis Bajrin, pjesë e grupit të Shkodrës. Burime i thanë Report Tv se 3 të paraburgosurit prej kohësh kalonin kohë bashkë në ambientin e përbashkët të sektorit dhe se më parë nuk kanë pasur konflikte. Hetuesit e kanë përjashtuar pistën e konfliktit të çastit dhe dyshojnë se plagosja e anëtarit të grupit famëkeq të Shkodrës të ketë qenë një mesazh nga grupet rivale, përfshirë këtu edhe grupin e Ibrahim Licit, me të cilin njihen për shumë përplasje të ashpra.
Nga dëshmia që i është marrë Denis Bajrit, grupi hetimor ka arritur të zbardhë edhe dinamikën e ngjarjes. Në momentin e sulmit, burimet sqarojnë se Gjini dhe Zoto i kanë shkuar Bajrit me një telefon në dorë, duke i thënë “këtë mesazh e ke nga filani”. Më pas e kanë sulmuar me thikë artizanale. Në këtë moment Denis Bajri është kundërpërgjigjur dhe palët janë përplasur fizikisht. Të plagosur mbetën Bajri dhe Zota, i cili mësohet të ketë pësuar një plagë për shkak të goditjes me unazë që ka marrë nga anëtari i grupit të Bajrave. Të dy u dërguan në spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Thika e përdorur për sulmin është sekuestruar bashkë me celularin, ndërsa këtë të fundit pritet ta marrë në dorë BKH për ekspertizë. Ndërkohë, Burgjet kanë urdhëruar transferimin e Jurgen Zotos në burgun e Burrelit dhe të Aldo Gjinit në atë të Drenovës. Të dy do të izolohen për 3 muaj.
Denis Bajri akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2022. Për llogari të Martinajt, Denis Bajri akuzohet se ka marrë pjesë në eliminimin e Gjin Ndojt në 2020-ën. Ai u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tashmë SPAK e ka kaluar dosjen për gjykim.
Aldo Gjini është pjesë e grupit kriminal të ‘Rrajave’ të Fushë-Krujës, të cilët akuzohen nga SPAK se kanë trafikuar 2.4 ton marijuanë drejt Europës, operacion i finalizuar në fillim të vitit në janar, mes të cilëve edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Grupi trafikoi drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së. Aldo Gjini në korrik 2021, u përfshirë në një plagosje në Tiranë. Më herët kërkohej nga Euripol për vrasje dhe trafik armësh. Ai dyshohet autor i një plagosje në nëntor 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016 u arrestua në Itali, për shpërndarje droge.
Ndërkohë, i burgosuri tjetër pjesë e sherrit, Jurgen Zoto, ndodhet në burg për veprat penale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje./Shqiptarja.com
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Po ndodh...
ide
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
Edi Rama, Harari dhe algoritmi!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128