Nga deklarata e Vuçiçit te reagimet e Prishtinës dhe Tiranës, çfarë po ndodh me Ujmanin?
Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Beogradi po mbledh ekspertë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, ka rikthyer në vëmendje rëndësinë strategjike të liqenit të Ujmanit dhe sistemit Ibër-Lepenc, duke nxitur reagime të forta në Kosovë dhe Shqipëri.
Vuçiç deklaroi se Serbia po bashkon ekspertë nga sektori i ndërtimit, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Ai e lidhi këtë ide me situatën politike dhe trajtimin e serbëve në Kosovë.
“Kur ata tashmë po i ngacmojnë kaq shumë njerëzit tanë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, është shprehur Vuçiç.
Deklarata e presidentit serb ka ngritur shqetësim në Prishtinë, pasi lumi Ibër dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi me rëndësi të veçantë për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje diplomatëve kosovarë që deklaratat e Vuçiçit t’ua bëjnë të njohura partnerëve ndërkombëtarë.
Haxhiu ka theksuar se sistemi Ibër-Lepenc dhe liqeni i Ujmanit janë jetikë për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e përditshme në Kosovë.
Edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e ka cilësuar deklaratën e Vuçiçit “thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme”.
Sipas saj, resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër. Pacolli u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Shqipëria. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të konsiderohet çështje e brendshme dhe të bëhet në mënyrë të njëanshme.
Hoxha ka theksuar se çdo masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, ka deklaruar Hoxha.
Ndërkohë, deklarata e Vuçiçit nuk përbën njoftim për nisjen e një projekti konkret për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit. Ai ka folur për mbledhjen e ekspertëve dhe shqyrtimin e mundësive.
Megjithatë, për shkak të rëndësisë së liqenit të Ujmanit dhe sistemit Ibër-Lepenc për Kosovën, deklarata ka rikthyer në qendër të vëmendjes një prej çështjeve më strategjike të ujërave në rajon dhe ka nxitur reagime të koordinuara nga Prishtina dhe Tirana.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128