Tregu 12 miliardë USD/ Analiza tronditëse: Mafia shqiptare fuqizoi trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës
Klanet shqiptare ishin ndër të parët që fuqizuan trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në botimin e ri të Diálogo Político, Arturo Torres heton modus operandi-n dhe mënyrën e funksionimit të këtij grupi kriminal.
Nga Arturo Torres, DIALOGO POLITICO
Tre faktorë ishin vendimtarë që mafia shqiptare dhe klane të tjera ballkanike ta shndërronin Ekuadorin në një inkubator të krimit transnacional: dobësia institucionale dhe korrupsioni i pranishëm në strukturat e kontrollit, një ekonomi e dollarizuar me kontrolle ende të dobëta kundër pastrimit të parave, si dhe rritja e ndjeshme e prodhimit dhe kërkesës për kokainë në Evropë.
Në kontinentin e vjetër, tregu i kësaj droge është katërfishuar gjatë 15 viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, pothuajse të gjitha vendet e Amerikës Latine janë shndërruar në hallka të rëndësishme të trafikut të kokainës, qoftë si prodhues, përpunues, vende tranziti të drogës apo parajsa për pastrimin e parave. Rajoni tani prodhon më shumë se dyfishin e sasisë së kokainës që prodhonte një dekadë më parë.
Kultivimi i kokës në Kolumbi, prej nga vjen pjesa më e madhe e kësaj droge në botë, është trefishuar dhe ka arritur në rreth 3.000 tonë në vit, sipas të dhënave të OKB-së.
Fillimet
Rreth vitit 2009, shqiptarët e parë mbërritën në Ekuador. Ata ndiqnin udhëzimet e mafias italiane Ndrangheta, e cila kërkonte të siguronte drejtpërdrejt blerjen e kokainës nga Kolumbia për ta shitur më pas në Evropë.
Shqiptarët u përballën me një sërë avantazhesh, veçanërisht në qytetin bregdetar të Guayaquil-it, i cili kishte një strukturë të fuqishme me tetë porte. Shumica e tyre merreshin me eksportin e bananeve dhe produkteve të tjera drejt Evropës dhe kontinenteve të tjera.
Ata kuptuan se eksportet, për shkak të sasisë së madhe të mallrave që transportoheshin nëpër kontejnerë, do të ishin një mënyrë ideale për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në atë periudhë, hetimet e policisë përqendroheshin te dërgesat e drogës përmes plazheve dhe porteve artizanale të Manabit dhe Esmeraldas, me skafe të shpejta drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.
Karteli i Sinaloas ishte dominues. Ai nuk kishte rivalë të denjë përballë në transportimin e drogës përmes Ekuadorit, në rrugë tokësore, detare dhe ajrore, drogë të cilën ia shisnin trafikantët kolumbianë.
Partneri i tij në Ekuador, përgjegjës për transportin dhe logjistikën, ishte banda Los Choneros.
Në vitin 2007, sapo kishte ardhur në pushtet Rafael Correa, i cili mori një sërë vendimesh që do të përcaktonin në mënyrë të pakthyeshme drejtimin e Ekuadorit për sa i përket dobësimit të kontrollit kundër narkotikëve.
Që nga viti 2008, ai ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet me Kolumbinë dhe, de facto, edhe me Shtetet e Bashkuara. Shkak u bë bombardimi nga avionët kolumbianë i kampit të FARC-ut në Agostura.
Kjo solli ndërprerjen e menjëhershme të shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve të trafikantëve të drogës në kufi.
Correa shpërbëri sistemet e inteligjencës që bashkëpunonin me Kolumbinë dhe SHBA-në. Ai ia hoqi Marinës kompetencat për kontrollin e porteve dhe ia transferoi ato Ministrisë së Transportit.
Që prej asaj kohe, mbikëqyrja detare mbeti praktikisht pa një strukturë të qartë përgjegjëse.
Goditja përfundimtare ishte miratimi, në Kushtetutën e re të vitit 2009, i konceptit të “Qytetarisë Universale”, i cili lejon hyrjen e çdo të huaji në vend pa pasur nevojë për vizë apo për të paraqitur dëshmi të së kaluarës penale.
Vetëm pak muaj pasi filloi kjo hyrje masive e të huajve, rrjete të krimit të organizuar nga Rusia, Lindja e Mesme dhe Kina hapën rrugë të reja për trafikimin e njerëzve drejt Shteteve të Bashkuara.
Modus operandi
Edhe pse fillimisht plani i shqiptarëve ishte të vendoseshin në Kolumbi, ata preferuan ta provonin modelin e tyre kriminal në Ekuador: Guayaquil-i u bë laboratori i tyre kryesor.
Në ato vite të para, në këtë qytet port mbërriti shqiptari Arber Çekaj. Ai themeloi një kompani për eksportin e bananeve, të cilën e përdori për të fshehur lëndë narkotike në anijet e mallrave, duke vepruar si përfaqësues i mafias italiane ‘Ndrangheta.
Në të njëjtën periudhë, Dritan Gjika – një figurë e rëndësishme e mafias shqiptare – mbërriti në Ekuador me një vizë vizitori të përkohshëm.
Në vitin 2012, në Ekuador mbërriti Dritan Rexhepi, i konsideruar si një prej pionierëve dhe krerëve të parë të kartelit transnacional shqiptar Compañía Bello në Ekuador.
Fillimisht qëndronin aty një ose dy muaj, por më pas filluan të vendoseshin përgjithmonë. Ata siguronin dokumente identiteti të falsifikuara përmes Gjendjes Civile ose paguanin për viza qëndrimi të përhershëm apo viza investitori.
Gjithashtu, martoheshin me gra ekuadoriane, duke u paguar atyre para që të pranonin të merrnin pjesë në këto martesa fiktive.
Përmes bashkëpunëtorëve vendas, ata zbuluan lehtësitë që ofronte sistemi i shoqërive tregtare dhe ai bankar.
Filluan të blinin dhe të themelonin dhjetëra kompani eksportuese frutash dhe prodhimesh deti.
Përdorën si fasadë imazhin e sipërmarrësve të rinj. Kjo u mundësoi të depërtonin relativisht lehtë në shtresat e larta të shoqërisë së Guayaquil-it, e njohur për një frymë të guximshme në biznes.
Ata mësuan shpejt spanjishten, krahas gjuhëve të tjera.
Me këtë strategji, krijuan një rrjet kontaktesh dhe u bënë miq të mirë me biznesmenë, politikanë, zyrtarë të lartë të Policisë dhe Marinës, gjyqtarë dhe prokurorë.
Ishte fillimi i përhapjes së këtij fenomeni kriminal.
Përhapja në institucionet shtetërore
Në mënyrë të heshtur, këto struktura kriminale nga Ballkani u infiltruan në institucionet dhe në strukturat e shoqërisë ekuadoriane. Objektivi i tyre ishte të merrnin kontrollin e pjesëve kyçe të zinxhirit të furnizimit me kokainë dhe të shkaktonin një vërshim droge drejt Evropës, një treg vjetor kokaine me vlerë mbi 12 miliardë dollarë.
Pikërisht këto fitime u mundësuan atyre të diversifikonin burimet e të ardhurave dhe të mos mbështeteshin vetëm te trafiku i drogës. Paratë e siguruara nga narkotrafiku u investuan në aktivitete të tjera, si nxjerrja e paligjshme e arit.
Sipas vlerësimeve zyrtare, të mbështetura edhe nga presidenti Daniel Noboa, aktualisht ekonomitë kriminale, të drejtuara nga mafie ballkanike, gjenerojnë rreth 26 miliardë dollarë të ardhura, ekuivalente me rreth 20% të PBB-së së Ekuadorit.
Ky aktivitet kriminal jashtëzakonisht fitimprurës ka sjellë pasoja të rënda.
Që nga viti 2021, pasiguria shpërtheu në Guayaquil dhe, me kalimin e viteve, u përhap edhe në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Kuito-n.
Aktualisht në Ekuador veprojnë rreth 50 banda kriminale. Një pjesë e madhe e këtyre grupeve ofrojnë, në varësi të rastit, shërbime për transportimin dhe grumbullimin e kokainës në Ekuador për kartelet, jo vetëm ato ballkanike, por edhe për Kartelin e Sinaloas dhe Kartelin Jalisco Nueva Generación.
Përplasjet për kontrollin e territoreve gjithnjë e më të mëdha për aktivitetet kriminale ndezën dhunën.
Në janar të vitit 2024, qeveria shpalli “gjendje lufte” kundër grupeve kriminale, por pa pasur një drejtim të qartë për mënyrën se si do të përmbysej ky fenomen.
Shkalla e vrasjeve u rrit nga 6 në 50,9 vdekje të dhunshme për çdo 100.000 banorë midis viteve 2019 dhe 2025.
Brenda vetëm katër vitesh, Ekuadori u shndërrua në vendin më të dhunshëm dhe më të pasigurt të Amerikës Latine.
Në mes të kësaj krize, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e rritën ndjeshëm bashkëpunimin e tyre, nga këndvështrime të ndryshme, por plotësuese.
Qasja evropiane është më gjithëpërfshirëse. Ajo synon të trajtojë shkaqet strukturore të kriminalitetit përmes trajnimeve, mbështetjes së programeve sociale dhe shkëmbimit të informacionit të inteligjencës.
SHBA-ja, nga ana tjetër, vazhdon të fokusohet në sigurimin e pajisjeve dhe infrastrukturës për forcat e rendit, si dhe në bashkëpunimin e inteligjencës.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, me theks të madh te masat ndëshkuese, shtimin e ushtarëve dhe policëve në rrugë dhe arrestimet e vazhdueshme të anëtarëve të bandave, shteti nuk arrin të dalë nga faza e reagimit dhe frenimit të përkohshëm.
Ai ka humbur aftësinë për të parandaluar fenomenin dhe për të rimarrë realisht kontrollin e territoreve gjithnjë e më të mëdha, ku tashmë mbizotëron qeverisja kriminale.
Deri tani, qeverisë i mungon një strategji efektive dhe shumëdimensionale për kapërcimin e krizës së sigurisë, e cila është problemi kryesor që po e kërcënon Ekuadorin dhe që rrezikon vetë mbijetesën e tij demokratike.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128