Të shtëna në një zyrë në Tajlandë, ish-deputeti qëllon një zyrtar të lartë

10 August 2026, 12:00 / BOTA ALFA PRESS

Të shtëna në një zyrë në Tajlandë,

Një person i armatosur ka hapur zjarr në një zyrë të autoriteteve lokale në periferi të kryeqytetit Bangkok, ndërsa mësohet se i dyshuari është arrestuar nga policia.

Sipas autoriteteve, personi i armatosur është një ish-deputet. Ai dyshohet se ka qëlluar ndaj një zyrtari të lartë provincial dhe shoferit të tij.

Komandanti i policisë provinciale, gjeneral-lejtnant Dezrapi Kongdi, konfirmoi se nga të shtënat kanë mbetur të plagosur dy persona. Të plagosurit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi të rëndë me armë në një shkollë të Tajlandës, ku një 14-vjeçar dyshohet se vrau gjyshin dhe gjyshen e tij, përpara se të qëllonte edhe persona të tjerë në shkollën e tij.

Nga sulmi i së premtes në provincën Nonthaburi humbën jetën nëntë persona, ndërsa më shumë se 20 të tjerë u plagosën. Pas sulmit, adoleshenti dyshohet se e ktheu armën ndaj vetes.

Ngjarja u cilësua si një nga sulmet më vdekjeprurëse me armë ndaj një turme në Tajlandë në gati katër vitet e fundit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për kontrollin e armëve në vend.

Ndërkohë, nxënësit janë rikthyer sot në shkollat në të gjithë Tajlandën, ndërsa në disa prej tyre janë vendosur masa shtesë sigurie, përfshirë kontrolle me detektorë metalesh.

Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul ka përsëritur ndërkohë angazhimin e qeverisë për forcimin e kontrollit të armëve, pas sulmit të rëndë të ndodhur të premten.

Po ndodh...