“S’ka Kuvend pa dorëheqje”/ Pankartat ndezin natën e 72-të të protestës: Vendet e punës i marrin patronazhistët!

10 August 2026, 21:32 / POLITIKË ALFA PRESS

“Revolucioni i Flamingove” vijon edhe këtë mbrëmje në Tiranë, teksa protesta qytetare hyn në ditën e 72-të, me qytetarët që kanë dalë sërish në rrugë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Krahas flamujve dhe flamingove rozë, protestuesit kanë sjellë edhe një sërë pankartash, përmes të cilave ironizojnë qeverinë, kryeministrin dhe situatën politike në vend.

Një prej pankartave tërhoqi vëmendjen me mbishkrimin “Miss Albania 2030 – Sadna raxh kapuri”, duke ironizuar një prej temave që ka shoqëruar debatin publik.

Në një tjetër pankartë shkruhej: “Prindërit më thonë studio shumë, mos të vuash si ne. Si t’ua them prindërve që gjithë ato vite studime shkuan kot se vendet e punës i marrin patronazhistët?”. Mesazhi përcjell pakënaqësinë e protestuesve për punësimin dhe akuzat për favorizime politike.

Një tjetër pankartë, në formën e një mesazhi ironik, pyet: “Ore, kush është smur? Kush, o smur? Edi o Edi…”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit.

Ndërkohë, një pankartë tjetër shkruan thjesht: “S’KA KUVEND PA DOREHEQJE”, duke e lidhur protestën me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.

Protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës dhe pritet të vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit, me flamuj, pankarta dhe thirrje kundër Edi Ramës.

Në fokus mbetet kërkesa për largimin e kryeministrit dhe ndryshim politik. Prej 72 ditësh, qytetarët vijojnë protestat e përnatshme, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se lëvizja do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Po ndodh...