Pas bojkotit në Universitetin e Korçës/ Sindikata e Universitetit të Shqipërisë shpall bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet publike

Sindikata e Universitetit të Shqipërisë shpall bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet publike
SINDIKATA E PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË (SPUSH)
NJOFTIM PËR SHPALLJEN E BOJKOTIT TË MËSIMDHËNIES
Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në mbledhjen e zhvilluar sot, më 20 tetor 2026, në sheshin e protestës së studentëve dhe nxënësve shqiptarë, vendosi njëzëri shpalljen e bojkotit të mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të Republikës së Shqipërisë, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit, si dhe në mbrojtje të së drejtës së tyre për protestë paqësore.
Bojkoti fillon nesër, më 21.10.2026, dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.
Arsyet e bojkotit
Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe të pronës, të drejtën për llogaridhënie etj.
Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që prej datës 13 tetor e në vijim, edhe dhuna ekstreme.
Pedagogët nuk mund ta vazhdojnë mësimdhënien si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë.
Pedagogët ndajnë të njëjtat shqetësime me studentët lidhur me zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj.
Kërkesat e Sindikatës
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë kërkon:
Ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë;
Hetimin e pavarur dhe transparent të përdorimit të forcës që prej datës 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt;
Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar;
Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve.
U bëjmë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë që ta respektojnë këtë vendim dhe të mos ndërmarrin asnjë masë disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet. Do të kthehemi në auditor sapo studentët tanë të marrin përgjigjen që meritojnë.
Së fundi, u rikujtojmë kolegëve se nuk bëhet fjalë thjesht për bojkotin e auditorëve, por për pjesëmarrje aktive në protestë.
Çdo ditë, në orën 10:00, do të mblidhemi përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe do të vijojmë mbështetjen ndaj studentëve.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje pedagogëve të qëndrojnë pranë studentëve dhe të ruajnë komunikimin me ta, duke u vënë në dispozicion materiale didaktike apo çdo ndihmë tjetër për të cilën kanë nevojë. Pedagogët duhet t’i informojnë studentët se orët e mësimit do të kompensohen në vijim.
Ne duhet të jemi zëri dhe mbështetja e tyre kryesore në këto ditë të vështira.
Për këtë vendim do të njoftohen edhe të gjitha autoritetet drejtuese të institucioneve publike të arsimit të lartë (IAL).
SINDIKATA E PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË (SPUSH)
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
