Balla mburret për rendin në ditën e krimit të dyfishtë në Tiranë

4 Janar 2024, 13:55 / POLITIKË ALFA PRESS

Balla mburret për rendin në ditën e krimit të dyfishtë
Taulant Balla e la për pas Vitit të Ri konferencën me gazetarët për të shpalosur punën e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, që në këtë detyrë u emërua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar foli gjatë me shifra e pa shifra se si organizata e policisë ishte përmirësuar e pastruar, sidomos gjatë drejtimit të tij.

Por, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë! Ajo se çfarë Taulant Balla ka bërë në krye të Policisë së Shtetit është as më shumë e as më pak e njëjta gjë që kanë bërë paraardhësit e tij. Përgjimet e ndërkombëtarëve në SKY dhe Encrochat kanë zbuluar se si drejtues më të lartë të saj janë vënë në shërbim të krimit të organizuar. Sigurisht, pastrimi i radhëve të policisë nga këta elementë kërkon kohë.

Por, Taulant Balla ka dështuar edhe të përmirësojë sigurinë e përgjithshme, ose të godasë krimin e rëndomtë. Mjaftojnë pamjet e fishekzjarreve të hedhura kuturru nëpër Tiranë dhe gjithë Shqipërinë natën e Vitit të Ri për të shembur gjithë propagandën që ministri i Brendshëm bëri gjatë muajit dhjetor për bllokimin e tyre. Fishekzjarret jo vetëm që s’u bllokuan, por në natën e ndërrimit të viteve nuk u bllokuan dot as festimeve alla-’97 me kallashnikov. Si shembull mjafton të sillet rasti i plagosjes së italianes në mes të Tiranës nga një plumb qorr, i qëlluar me gjasa gjatë ndërrimit të viteve.

Ironikisht, konferenca ku ministri i Brendshëm foli për arritjet imagjinare në garantimin e sigurisë publike mbërriti vetëm pak orë pas Tirana u trondit nga një krim i dyfishtë, kur në zonën e Freskut vëllai vrau vëllain me pistoletë për një konflikt të hershëm pronash.

Krimet brenda familjes, siç pohojnë ekspertët, janë më të vështirët për t’u parandaluar. Por, siç pohohet paraprakisht për ngjarjen e Freskut, autori kishte ardhur nga Anglia prej disa ditësh dhe ka lëvizur lirisht me pistoletën me të cilën kreu vrasjen dhe më pas edhe vetëvrasjen./VoxNews

 

Po ndodh...