“Tuneli i Murrizit, simbol i një skandali kriminal”, PD denoncon: U vodhën 450 milionë euro për një tunel të çarë, që rrezikon jetët e qytetarëve

30 Janar 2026, 13:34 / POLITIKË ALFA PRESS

“Tuneli i Murrizit, simbol i një skandali kriminal”, PD

Partia Demokratike denoncoi sot skandalet e radhës të qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, të drejtuara nga e pandehura prej SPAK dhe GJKKO, Belinda Balluku.

Drejtuesi i Departamentit të Infrastrukturës në PD, Besnik Dervishi, doli sot në një deklaratë për mediat, ku theksoi jo vetëm vjedhjen e 450 mln eurove me projekte të pastudiuara mirë, por edhe rrezikimin e jetës së qytetarëve.

Ai mori shkas nga situata më e fundit te Tuneli i Murrizit, që ka pësuar çarje serioze dhe rrezikon shembjen, teksa shtoi se edhe Rruga e Arbrit është e pakolauduar.

Dervishi kërkoi hetime dhe verifikime të menjëhershme të situatës, si dhe mbajtjen e përgjegjësive, duke nënvizuar se PD i kishte denoncuar prej kohësh këto abuzime dhe afera.

Deklarata e plotë e besnik Dervishit nga PD:

Tuneli i Murrizit, i cili u hap për qytetarët pak përpara zgjedhjeve të vitit 2025, me nxitim elektoral, propagandë dhe ceremoni festive, sot, pa kaluar as një vit nga hapja e tij, ka pësuar krisje dhe çarje, duke rikonfirmuar në mënyrën më kriminale se kemi të bëjmë me një vepër të realizuar jashtë standardeve teknike dhe atyre të sigurisë.

Kjo që ka ndodhur nuk ishte e paparashikueshme, pasi këmbanat e alarmit kanë rënë shumë më herët, si gjatë ndërtimit të tunelit ashtu edhe pas hapjes së tij, kur inxhinierët e Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike kanë deklaruar se kjo rrugë, dhe ky tunel në veçanti, ishte jashtë standardit dhe përbënte rrezik serioz për jetën e qytetarëve.

Ky alarm profesional u injorua.

Sot, faktet janë mbi tokë: Tuneli rrezikon të shembet.

Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar për informacion mbi Rrugën e Arbërit dhe përgjigjja zyrtare ka qenë:

“Tuneli i Murrizit, pjesë e segmentit nr. 3 të territorit të Rrugës së Arbërit, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH për ndjekjen e procedurave të kolaudimit.”

Pra, Tuneli i Murrizit dhe Rruga e Arbërit janë hapur për përdoruesit e rrugës të papërfunduara, të pakolauduara dhe të pamarra në dorëzim.

Ndërtimi i Rrugës së Arbërit, me gjatësi prej 74 km, ka nisur në vitin 2005, me një studim fizibiliteti të kryer para vitit 2005, dhe deri në vitin 2013 kanë qenë të përfunduara plotësisht 25 km të saj, ndërsa 15 km të tjera ishin të përfunduara në masën 80%.

Projekti për përfundimin e saj parashikonte një kosto totale prej 170 milionë euro.

Pas vitit 2013, punimet u ndërprenë, pasi ndërtimi i rrugës duhej të jepej me PPP, ku përfituesi i PPP-së kishte detyrimin që:

-të hartonte projektin përfundimtar;

-të realizonte punimet e përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes sipas projektit të zbatimit;

-të siguronte financimin për zbatimin e projektit.

Ndërtimi i kësaj rruge, kontrata e së cilës parashikonte përfundimin e saj “me çelësa në dorë” me një vlerë prej 267 milionë euro, me shtesat e realizuara ndër vite, u kushtoi qytetarëve shqiptarë 450 milionë euro.

Përfituesi i PPP-së është i njëjti subjekt që realizoi edhe tunelin e dështuar dhe famëkeq të Llogarasë.

Përse dy tunele strategjike, të ndërtuara nga i njëjti oligark i lidhur me qeverinë, çahen, dështojnë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve?

Kjo është një skemë e mirëorganizuar për vjedhje dhe e keqorganizuar për qytetarët.

Tuneli i Murrizit nuk është një incident teknik, por pasojë e:

-PPP-ve të sajuara për oligarkë;

-mungesës së kontrollit shtetëror mbi paratë e buxhetit të shtetit;

-kapjes së shtetit nga interesa private.

Është pasqyra e një modeli qeverisjeje që ndërton për fushatë dhe shemb për qytetarët.

Për këtë model duhet përgjegjësi politike dhe penale, jo justifikime të ricikluara dhe fajësim i së shkuarës”.

 

Po ndodh...

ide