Protestuesit sulmuan Iris Luarasin, Rama ju shkruan Demokratëve Europianë: A nuk ju vjen turp që mbështesni një sjellje kaq të neveritshme?

9 September 2026, 12:53 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish Demokratëve Europianë, pas një kritike të tyre ndaj kreut të ekzekutivit për protestën e flamingove, duke ju treguar rastin e pedagoges dhe deputetes Iris Luarasi.

"Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i parlamentarëve për të hyrë në seancën e hapjes së Parlamentit është "mospajtim"?", pyet Edi Rama.

Kryeministri publikon pamjet e aktivistëve duke përndjekur deputeten Iris Luarasi brenda një qendre tregtare, teksa ajo ishte në rrugën e saj drejt Parlamentit, për çeljen e sesionit të ri parlamentar.

Ai u thotë Demokratëve Europianë se nga komoditeti i tastierës kjo mund të duket normale, por kolegët e tyre në Shqipëri, nga e djathta në të majtë, dje u detyruan të përballeshin me një seri abuzimesh verbale dhe dhune fizike, me vezë dhe madje edhe gurë të hedhur mbi ta.

"A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si mospajtim demokratik? Me sa duket jo", shkruan Edi Rama.

"Meqë ra fjala, shikoni se si një anëtare e nderuar e Parlamentit, një akademike e respektuar dhe një avokate e njohur gjerësisht për të drejtat e grave, abuzohet nga modelet tuaja të "mospajtimit" ndërsa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës", vijon kryeministri.

Edi Rama kërkon nga Partia e Demokratëve Europianë që mos e bëjnë Shqipërinë pjesë e agjendave të tyre e mos ta tërheqin "në kënetën e tyre dixhitale".

"Shqipëria është një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Nuk meriton të bëhet çamçakëz në gojën mediokre të njerëzve që shkëmbejnë fakte për angazhim të lirë politik", përmbyll ai.

Po ndodh...