Shpallet në kërkim ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku

6 August 2026, 21:21 / AKTUALITET ALFA PRESS
Shpallet në kërkim ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku

Ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku është shpallur në kërkim këtë të enjte nga Policia e Himarës.

Sipas raportimeve në media, Shpataraku i njohur edhe si një nga njerëzit më të afërt të ish kryepolicit Ilir Proda është kallëzuar nga punonjësit e një hoteli në zonën e Dhërmiut të cilët pretendojnë se janë kanosur e kërcënuar nga Shpatarku.

Pas një debati verbal, punonjësit pretendojnë se i ka kërcënuar me jetë.

Shpataraku, aktualisht është i përjashtuar nga radhët e policisë, ku mbante funksionin e Asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit, me motivacionin emosparaqitjes së rregullt në detyrë, një shkelje që është vlerësuar si e përsëritur në kohë.

Kush është Uljan Shpataraku?

Uljan Shpataraku njihet ndryshe edhe si mik i Ilir Prodës. Ai ka punuar si zëvendës i Prodës në Elbasan dhe të dy njihen për miqësi të ngushtë mes tyre.

Shpataraku, në vitin 2023, kur mbante pozicionin e Shefit të Anti-Drogës në Policinë e Elbasanit, u pezullua nga detyra, në vijim të një hetimi për shpërdorim detyre. Ai u mor nën hetim nga Prokuroria, pasi kishte liruar në mënyrë të dyshimtë një person, i cili ishte në kërkim për “shfrytëzim lokalesh për përdorim droge”.

Ngjarja ka ndodhur në shtator të tre viteve më parë. Hetimet e prokurorisë zbuluan se Shpataraku kishte thirrur në zyrë personin në kërkim policor, Endrit Filja, i kishte marrë deklarimin në emër të një vartëseje të tij, nuk kishte njoftuar as eprorët dhe as prokurorinë, por e kishte lejuar të largohej.

Masa e pezullimit nga detyra të oficerit Ulian Shparaku u konfirmua, deri në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që personi nën hetim, Endri Filja, iu shmang hetimit, megjithëse prokuroria lëshoi më pas një urdhër-arresti ndaj tij.

Por, megjithëse faktet e Prokurorisë ishin kokëfortë, Uljan Shpataraku duket se i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë në favorin e tij, pasi ai u rikthye në detyrë si zv.drejtor i Policisë së Elbasanit e më pas si drejtor i saj, me firmën e ish-shefit, Ilir Proda.

Po ndodh...