Vendimi që mund të prekë vizat amerikane të emigrimit për shqiptarët

5 August 2026, 22:30 / BOTA ALFA PRESS
Vendimi që mund të prekë vizat amerikane të emigrimit

Një gjykatë federale në Washington ka vendosur se politika e administratës Trump për pezullimin e përpunimit të vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, është në kundërshtim me ligjin.

Në një vendim të dhënë më 31 korrik, gjyqtari federal Amit Mehta arriti në përfundimin se politika e njohur si “Public Charge Policy”, e miratuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tejkalon kompetencat që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit sipas Ligjit për Emigracionin dhe Shtetësinë.

Politika hyri në fuqi më 21 janar 2026 dhe urdhëronte zyrtarët konsullorë të refuzonin ose të pezullonin shqyrtimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, derisa Departamenti i Shtetit të hartonte procedura të reja për vlerësimin e rrezikut që aplikantët mund të bëheshin përfitues të ndihmës sociale në Shtetet e Bashkuara. Në listë përfshiheshin edhe Shqipëria dhe Kosova.

Në arsyetimin e tij, gjyqtari thekson se ligji ia rezervon vendimmarrjen për dhënien ose refuzimin e vizave oficerëve konsullorë, ndërsa sekretari i Shtetit nuk ka kompetencë të imponojë refuzime kolektive për një kategori të tërë aplikantësh.

Gjykata urdhëroi që aplikimi konkret i paditësve të rishqyrtohet individualisht brenda 60 ditëve, por vendimi nuk e shfuqizon automatikisht politikën për të gjithë aplikantët nga 75 vendet, pasi çështja është gjykuar mbi bazën e një padie individuale.

Po ndodh...