Përfundon pa marrëveshje edhe takimi i dytë Kurti-Abdixhiku

5 August 2026, 19:30 / KOSOVA ALFA PRESS
Përfundon pa marrëveshje edhe takimi i dytë Kurti-Abdixhiku

Takimi i dytë brenda dy ditësh mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar sërish pa një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Bisedimet u zhvilluan pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, por palët nuk arritën një dakordësi për ndarjen e përgjegjësive dhe hapat që do të çonin në formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re.

Pas takimit, Kurti u shpreh shkurt se nuk ka zhvillime për t’u bërë publike pa një marrëveshje konkrete.

Nuk kemi lajme, përderisa nuk kemi marrëveshje. Kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, deklaroi ai.

Ky ishte diskutimi i dytë mes dy liderëve në harkun e 48 orëve. Edhe takimi i mëparshëm, i cili zgjati rreth tre orë, nuk prodhoi një marrëveshje politike mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Megjithatë, të dyja partitë kanë lënë të hapur mundësinë e vijimit të negociatave. Kurti ka kërkuar bashkëpunim me LDK-në, duke e parë atë si një mundësi për stabilitet dhe funksionim më të shpejtë të institucioneve, ndërsa Abdixhiku ka këmbëngulur për një ndarje të balancuar të pushtetit.

Një nga çështjet më të ndjeshme në negociata mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, pasi mungesa e konsensusit për këtë post ishte një nga arsyet që vendi shkoi drejt zgjedhjeve të reja.

Pa një marrëveshje mes dy subjekteve, mbetet i hapur edhe skenari i një tjetër përplasjeje politike dhe mundësia e rikthimit te zgjedhjet.

Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është parashikuar të mbahet nesër në orën 10:00.

Po ndodh...