Shqipëria hap rrugën për Byrotë private të Kreditit, çfarë parashikon drafti
Shqipëria pritet të krijojë për herë të parë një kuadër të posaçëm ligjor për ngritjen dhe funksionimin e Byrove private të Kreditit, të cilat do të mund të mbledhin dhe analizojnë një gamë shumë më të gjerë informacioni mbi sjelljen financiare të individëve dhe bizneseve sesa të dhënat tradicionale për kreditë bankare.
Projektligji i ri “Për Byrotë e Kreditit” synon krijimin, licencimin dhe funksionimin e këtyre subjekteve private, me qëllim që kredidhënësit të kenë më shumë informacion për të vlerësuar aftësinë paguese të klientëve. Sipas relacionit shoqërues, sistemi synon njëkohësisht të rrisë aksesin në financim dhe të krijojë mundësi që personat dhe bizneset me histori të mirë financiare të përfitojnë kushte më të favorshme kreditimi.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka një kuadër të posaçëm për funksionimin e byrove private të kreditit. Informacioni mbi huamarrësit administrohet kryesisht nëpërmjet Regjistrit të Kredive të Bankës së Shqipërisë, ku raportojnë bankat dhe subjektet e tjera financiare. Sipas relacionit, ky regjistër nuk është konceptuar për të ofruar shërbime tregtare të raportimit kreditor, analiza të avancuara të sjelljes paguese apo modele të posaçme të vlerësimit të klientëve.
Me sistemin e ri, rrethi i informacionit që mund të përdoret për të krijuar profilin financiar të një individi apo biznesi zgjerohet ndjeshëm.
Projektligji përcakton se ofrues të informacionit për Byrotë e Kreditit mund të jenë bankat, institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike, institucionet financiare jo-banka, shoqëritë e kursim-kreditit, kompanitë e sigurimit, Banka e Shqipërisë, administrata tatimore dhe njësitë e qeverisjes vendore.
Por lista shtrihet edhe jashtë sistemit tradicional financiar. Në të mund të përfshihen kompanitë që ofrojnë energji elektrike, gaz, ujësjellës-kanalizime, shërbime të komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe persona të tjerë juridikë që furnizojnë mallra ose shërbime dhe krijojnë detyrime financiare për individët ose bizneset.
Kjo do të thotë se vlerësimi i besueshmërisë së një klienti mund të mos mbështetet vetëm te fakti nëse ai ka paguar apo jo në kohë një kredi bankare. Në historikun kreditor mund të përfshihen edhe detyrime të tjera të prapambetura, përfshirë detyrimet tatimore apo pagesa të tjera të detyrueshme.
Për personat fizikë, projektligji parashikon që historiku kreditor mund të përmbajë të dhëna për kërkesat për kredi, marrëveshjet e lidhura, shumën e detyrimeve, monedhën, afatin e shlyerjes, pagesat e prapambetura, ristrukturimet, shlyerjen e plotë të detyrimit, kundërshtimet apo proceset gjyqësore, si edhe renditjen kreditore të individit.
Me rëndësi për qytetarët është pikërisht renditja kreditore ose “credit scoring”. Ajo do të shërbejë si një matës i besueshmërisë së klientit, i krijuar përmes analizimit të të dhënave me modele statistikore, matematikore ose algoritmike.
Sipas projektligjit, këto modele duhet të mbështeten mbi kritere objektive, proporcionale, të verifikueshme dhe jodiskriminuese. Parashikohen gjithashtu kërkesa për transparencë mbi metodologjinë dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në renditjen kreditore.
Për një qytetar me histori të rregullt pagesash, ky mekanizëm mund të kthehet në avantazh. Në relacionin e projektligjit argumentohet se individët dhe bizneset me histori të mirë financiare mund të kenë mundësi më të mëdha për të negociuar norma më të favorshme interesi dhe për të marrë kredi në një kohë më të shkurtër. Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, një histori e mirë krediti mund të ndihmojë gjithashtu në sigurimin e financimit pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme që në çdo rast të ofrohen garanci reale ose personale.
Sistemi synon gjithashtu të shkurtojë kohën e analizës së aplikimeve. Sipas relacionit, ndërsa kontrolli tradicional i aftësisë kredimarrëse mund të kërkojë disa ditë pune dhe angazhim të burimeve njerëzore, Byrotë e Kreditit mund të gjenerojnë raportin kreditor në një kohë shumë më të shkurtër.
Projektligji vendos ndërkohë kufij për kohën gjatë së cilës informacioni mund të qëndrojë në sistem. Të dhënat pozitive do të ruhen deri në tre vjet nga përfundimi i marrëdhënies së kredisë ose kontratës, ndërsa të dhënat negative deri në pesë vjet nga momenti kur detyrimi është përmbushur ose është shuar.
Parashikohet edhe mundësia e fshirjes së tyre përpara afatit, ndër të tjera kur informacioni është marrë nga burime të palejuara, është transmetuar në kundërshtim me procedurat ligjore ose konstatohet se është i pasaktë.
Të dhënat kreditore do të konsiderohen konfidenciale. Byrotë, subjektet që furnizojnë informacion dhe përdoruesit e tij do të jenë të detyruar të ruajnë sekretin dhe nuk mund t’ua transmetojnë informacionin palëve të treta, përveç rasteve të parashikuara nga ligji.
Byrotë private do të duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si shoqëri aksionare dhe të pajisen me licencë. Procedura e licencimit do të zhvillohet pranë QKB-së, ndërsa licenca, pasi miratohet, do të jetë me afat të pacaktuar.
Kërkesat për operatorët janë relativisht të forta. Dokumentacioni i licencimit parashikon, ndër të tjera, dëshmi për të paktën pesë vite përvojë të vazhdueshme operacionale në këtë fushë në Shqipëri, në Bashkimin Europian ose në një vend të OECD-së, pasqyra financiare të audituara për tre vitet e fundit dhe certifikime për sigurinë e informacionit dhe vijueshmërinë e aktivitetit.
Për aspektet që lidhen me përpunimin e të dhënave personale, mbikëqyrja e Byrove të Kreditit do të kryhet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërsa QKB do të ketë rolin kryesor në procesin e licencimit.
Në momentin e krijimit të sistemit, projektligji parashikon edhe një zhvillim të rëndësishëm: me kërkesë të Byrosë dhe në bazë të një marrëveshjeje mes palëve, Banka e Shqipërisë mund t’i vërë në dispozicion Byrosë së Kreditit informacionin që ndodhet në Regjistrin e Kredive deri në datën e licencimit të saj, duke krijuar kështu bazën fillestare të informacionit kreditor.
Qeveria argumenton se sistemi i ri duhet të reduktojë asimetrinë e informacionit mes kredidhënësve dhe kredimarrësve, të përmirësojë administrimin e riskut dhe të zgjerojë aksesin në financim. Relacioni evidenton se krijimi i byrove private të kreditit është rekomanduar ndër vite edhe nga Banka Botërore dhe BERZH. /ekofin.al
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128