Sokol Binaj u tërhoq, ikën edhe Genti Shala, dosja e Saimir Tahirit peng në Gjykatën e Lartë: Enton Dhimitri caktohet relator i ri

17 July 2026, 14:49 / POLITIKË ALFA PRESS

Gjyqtari i lartë Enton Dhimitri është caktuar relator i dosjes së rekursit që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela kanë paraqitur në Gjykatën e Lartë. Prej disa vitesh, ajo po zvarritet dhe relatorët janë tërhequr njëri pas tjetrit.

Sot, bëhet me dije se edhe Genti Shala është tërhequr nga shqyrtimi i dosjes dhe ajo i ka kaluar Enton Dhimitrit. Ai ka një karrierë 21 vite në sistemin e drejtësisë dhe prej vitit 2022, me dekret të Presidentit, është emëruar në Gjykatën e Lartë.

Gjyqtari Sokol Binaj është tërhequr më parë sepse kur Saimir Tahiri gjykohej në Apelin për Krimet e Rënda, ai ka shqyrtuar disa nga kërkesat e ish-ministrit. Për të shmangur çdo konflikt interesi apo dyshim mbi paanshmërinë, ai ka vendosur të tërhiqet nga çështja.

Gjykata e Lartë bëri rishpërndarjen e dosjes dhe relator u caktua Genti Shala, por dhe ky anëtar i organit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri, ka vendosur të tërhiqet. Në këto kushte, rekursi i Saimir Tahirit do të shqyrtohet nga Enton Dhimitri.

Dosja që nuk po merr drejtim në Gjykatën e Lartë

Fillimisht, ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kashpallur fajtor ish-ministrin për shpërdorim detyre, duke e dënuar me 5 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 3.4 vite, ndërsa në vendimin përfundimtar u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vënia e tij në shërbim prove.

Ky vendim u ankimua nga të dyja palët, si nga SPAK ashtu edhe nga vetë Saimir Tahiri. Apeli i GJKKO-së e rrëzoi vendimin për pezullimin e dënimit, duke lënë në fuqi dënimin me 3.4 vite burg.

Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, ish-ministri socialist u lirua nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit, për shkak të rrethanave familjare dhe kushteve të parashikuara në ligj, pa e përfunduar plotësisht ekzekutimin e dënimit.

Aktualisht, në Gjykatën e Lartë pritet jo vetëm caktimi i datës së seancës gjyqësore, por edhe përzgjedhja e dy anëtarëve të tjerë të trupës gjykuese, të cilët së bashku me relatorin Enton Dhimitri do të shqyrtojnë si rekursin e SPAK, ashtu edhe atë të paraqitur nga Saimir Tahiri, i cili kërkon pafajësinë e plotë.

Po ndodh...

ide