Niko Uilliams i la në “baltë”, Barcelona e kalon vëmendjen te sulmuesi i Milanit

5 Korrik 2025, 14:31 / SPORT ALFA PRESS

Niko Uilliams i la në “baltë”, Barcelona e kalon

Pas një “telenovele” të gjatë që e kishte lidhur emrin e tij me Barcelonën, Niko Uilliams i ka befasuar të gjithë me vendimin e tij për të rinovuar kontratën me Atletik Bilbaon deri në vitin 2035.

Ky vendim i papritur ka shkaktuar tronditje në radhët e Barcelonës, që e kishte vendosur Uilliamsin si objektiv kryesor për përforcimin e repartit ofensiv. Tani, me dështimin e kësaj piste, klubi katalanas është i detyruar të zhvendosë vëmendjen tek alternativa e dytë në listë: sulmuesi i Milanit, Rafael Leao. Rafa Leao, numri 10 i kuqezinjve dhe një nga emrat më të dashur për tifozët në “San Siro”, është pjesë kyçe e projektit të ri të Milanit nën drejtimin e Masimiliano Alegrit dhe drejtorit të ri sportiv Igli Tare.

Portugezi ka kontratë deri në vitin 2028 dhe një klauzolë largimi prej 175 milionë eurosh, por në rast se Barcelona paraqet një ofertë mbi 100 milionë euro, Milani është i gatshëm të ulet në tavolinën e bisedimeve. Megjithatë, gjithçka mund të vendoset nga vetë dëshira e lojtarit. Edhe pse Leao ka përsëritur shpesh dashurinë për klubin milanez, ai nuk e ka fshehur kurrë magjepsjen e tij për Barcelonën dhe mund të kërkojë transferimin nëse do të bindet nga projekti katalanas.

Duke qenë se financat e Barcelonës janë ende të trazuara dhe klubi vazhdon të përpiqet të reduktojë barrën e pagave të larta, fondet për një blerje si ajo e Leaos janë të kufizuara. Klubi katalanas ka në dispozicion rreth 60 milionë euro për një sulmues krahu, por synon të plotësojë diferencën përmes përfshirjes së lojtarëve në marrëveshje.

Në këtë kuadër, Barcelona është e gatshme të ofrojë emra si Andreas Kristensen, Feran Tores, Inigo Martinez apo Alehandro Balde, si pjesë të një marrëveshjeje për Leaon, një skenar që mund ta tundojë Milanin, nëse emrat e ofruar përputhen me kërkesat tekniko-taktike të Alegrit.

 

Po ndodh...

ide