Suedia ndalon ChatGPT dhe Claude në kompjuterët e punës për punonjësit e administratës publike

26 October 2026, 18:53 / AKTUALITET ALFA PRESS

Suedia ndalon ChatGPT dhe Claude në kompjuterët e punës për

Punonjësit e administratës publike në Suedi nuk mund të përdorin më versionet e ChatGPT dhe Claude përmes shfletuesit të internetit në kompjuterët e punës, pas shqetësimeve për sigurinë dhe përpunimin e të dhënave sensitive.

Ndalimi hyri në fuqi të hënën, më 26 tetor, pas një vlerësimi të përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale nga punonjësit e Administratës Suedeze të Transportit, në fillim të këtij viti. Vlerësimi evidentoi përdorime “problematike” të këtyre platformave gjatë kryerjes së detyrave shtetërore.

Zyrtarët shprehën shqetësimin se futja e informacioneve sensitive në këto modele, pa një marrëveshje që përcakton mënyrën e mbrojtjes dhe sigurisë së të dhënave, mund të bëjë që ato të përfshihen në model dhe të ruhen për qëllime trajnimi.

Përdorimi i platformave që nuk rregullohen ose mbrohen nga marrëveshje të tilla, i njohur edhe si “shadow IT”, mund të sjellë “pasoja për sigurinë e informacionit”, deklaroi Mikael Wettercrantz, drejtor i dixhitalizimit në Zyrat Qeveritare të Suedisë.

Si alternativë, autoritetet po rekomandojnë Microsoft Copilot, i cili ka kaluar procesin e kontrollit të sigurisë dhe mbulohet nga një marrëveshje sigurie mes kompanisë amerikane dhe qeverisë suedeze.

Punonjësit e administratës do të vijojnë të kenë mundësi të përdorin inteligjencën artificiale për të lehtësuar kryerjen e detyrave të tyre, por tashmë nën kontrolle më të rrepta sigurie. Vetëm një numër i kufizuar punonjësish do të mund të vazhdojnë përdorimin e ChatGPT dhe Claude, dhe kjo vetëm përmes një platforme të posaçme për asistentët e inteligjencës artificiale, të zhvilluar nga autoritetet suedeze.

Sipas transmetuesit publik suedez, Sveriges Radio, kufizime për përdorimin e ChatGPT dhe Claude janë vendosur edhe në Agjencinë Suedeze të Tatimeve dhe në Bordin Kombëtar për Kujdesin Institucional. Ndërkohë, Autoriteti Suedez i Përmbarimit po shqyrton aktualisht këtë çështje.

Këto dy platforma të inteligjencës artificiale i shtohen DeepSeek në listën e mjeteve që nuk janë miratuar nga qeveria suedeze për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të ndalonin të gjitha produktet dhe shërbimet e kompanisë kineze të inteligjencës artificiale, DeepSeek.

Po ndodh...