“Territorialja”/ Divjaka proteston për të 8-ën ditë kundër bashkimit me Lushnjën, qytetarët mbledhin firma për anulimin e reformës

7 August 2026, 23:03 / POLITIKË ALFA PRESS

Protesta e banorëve të Divjakës kundër reformës territoriale ka hyrë sot në ditën e 8-të, ndërsa kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar: Divjaka të ruajë statusin si bashki më vete dhe të mos bashkohet me Bashkinë e Lushnjës.

Në protestën e së premtes, përveç banorëve të Divjakës, morën pjesë edhe qytetarë nga njësitë administrative përreth, të cilët shprehën kundërshtimin ndaj projektit të propozuar.

“Nuk dua që Divjaka të humbë zërin e saj, mbroni Divjakën! Është e ardhmja jonë!”, tha një vajzë gjatë protestës.

Ndërsa një tjetër protestues u shpreh: “Divjaka bashki! Kryeministri mos të kërkojë vendime apo konsulta të tjera!”.

Organizatorët kanë vijuar edhe me mbledhjen e firmave për një peticion që do t’u drejtohet institucioneve shtetërore, ku kërkohet anulimi i projektit për ndryshimet territoriale.

“Protestën tonë ta dokumentojmë me firma. Kush ka dëshirë e vullnet për ta hedhur firmën, ta tregojmë që jemi kundër shkrirjes së bashkisë”, tha një prej qytetarëve.

Si çdo mbrëmje, protesta është mbyllur me një marshim të banorëve në rrugët e qytetit. Organizatorët kanë bërë të ditur se reagimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Po ndodh...