Thellohet tragjedia në Qipro, shkon në 8 numri i të vdekurve! Arrestohen kapiteni dhe ekuipazhi

Thellohet bilanci tragjik i fundosjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e veriut të Qipros. Të paktën tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 18 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Aksidenti i rëndë ndodhi të dielën, pak pasi trageti u nis nga qyteti bregdetar i Kyrenias me destinacion Turqinë. Në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në det, me pjesëmarrjen e mjeteve të rojës bregdetare dhe helikopterëve turq. Pjesa më e madhe e personave në bord është shpëtuar, ndërsa ekipet vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.
Sipas dëshmive të para, trageti u përball me kushte të vështira atmosferike menjëherë pas nisjes. Kryeministri i administratës turke në veri të Qipros, Unal Ustel, deklaroi se anija u godit nga dy dallgë të fuqishme.
Kapiteni tentoi të rikthente kontrollin pas goditjes së parë, por një dallgë e dytë e goditi anijen dhe ajo nisi të marrë ujë. Brenda pak minutash, situata doli jashtë kontrollit dhe trageti u përmbys.
Mjeti ishte nisur nga Kyrenia rreth orës 12:30 me kohën lokale dhe më pas u fundos plotësisht. Autoritetet po përpiqen të gjejnë edhe kutinë e zezë, e cila mund të ndihmojë në zbardhjen e shkaqeve të sakta të aksidentit.
Në kuadër të hetimit, kapiteni dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit janë ndaluar nga autoritetet.
Ustel ka deklaruar se do të hetohet çdo element i ngjarjes dhe se asnjë neglizhencë nuk do të anashkalohet.
“Askush nuk do të kursehet, pavarësisht se kush është dhe kush rezulton përgjegjës”, deklaroi ai.
Ministri i Transportit, Erhan Arıklı, tha se rreth 100 pasagjerë ishin nxjerrë në breg në fazat e para të operacionit.
Një prej personave që mori pjesë në operacionin e shpëtimit, Mustafa Koç, tregoi për BBC se me varkën e tij kishte arritur të shpëtonte rreth 65 persona.
Koç ngriti pikëpyetje mbi vendimin për nisjen e tragetit në kushte të tilla detare.
“Deti ishte mjaft i trazuar. Nuk ishte e sigurt për ta”, deklaroi ai.
Sipas dëshmitarit, trageti kishte mbërritur në Kyrenia një ditë më parë dhe kishte dëmtime në pjesën e përparme.
Mjeti detar, i tipit Filo Jet, ishte rreth 40 metra i gjatë dhe 10 metra i gjerë dhe lundronte nën flamurin turk. Kompania private Filo Denizcilik, që operon anijen, tha se është “thellësisht e pikëlluar” nga tragjedia.
Ndërkohë, autoritetet kanë vënë në dispozicion një linjë telefonike për familjarët e pasagjerëve. Ende nuk janë bërë të ditura plotësisht kombësitë e të gjithë personave në bord.
Kërkimet për 18 personat e zhdukur vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse kushtet e rënda të detit dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar në fundosjen e tragetit.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128