Torturë dhe keqtrajtim/ Organizatat ndërkombëtare denoncojnë dhunën policore në protesta

31 October 2026, 14:36 / POLITIKË ALFA PRESS
Torturë dhe keqtrajtim/ Organizatat ndërkombëtare denoncojnë

Konsorciumi i Bashkuar Kundër Torturës (UATC) dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Traumën dhe Torturën (ARCT) kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave në Shqipëri, duke denoncuar raste të dyshuara të dhunës fizike, trajtimit çnjerëzor dhe ndalimeve arbitrare të protestuesve.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat bëjnë të ditur se kanë mbledhur dëshmi nga më shumë se 75 persona që kanë marrë pjesë në protesta, ndërsa Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Traumën dhe Torturën ka marrë mbi 100 kërkesa për ndihmë mjekësore dhe ligjore.

Sipas të dhënave të dokumentuara nga ARCT, të paktën 320 persona janë plagosur gjatë demonstratave, ndërsa mbi 50 persona janë arrestuar. Mes tyre raportohen edhe 18 fëmijë, të cilët, sipas organizatave, janë ndaluar pa një masë sigurie të caktuar nga gjykata.

Një nga rastet e evidentuara lidhet me një 19-vjeçar, të cilit iu thye këmba e djathtë gjatë protestës së 13 tetorit. Organizata thotë se pamjet filmike tregojnë katër efektivë që e mbajnë të riun nga gjymtyrët, ndërsa këmba e dëmtuar i qëndronte e pambështetur.

shqetësime ngrihen edhe për protestën e 24 tetorit, gjatë së cilës pretendohet se policia përdori plumba gome, duke plagosur të paktën dy persona. Njëri prej tyre pësoi një dëmtim serioz në sy. Gjithashtu, në raport përmenden përdorimi i shkopinjve të gomës, mburojave, gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë.

Organizatat raportojnë gjithashtu se 20 raste të gjuhës së urrejtjes nga efektivët e policisë janë denoncuar gjatë protestës së 24 tetorit.

Sa i përket kushteve të shoqërimit, sipas ARCT-së, më shumë se 32 persona janë mbajtur në komisariatet nr. 1 dhe nr. 3, ku disa prej tyre kanë rrëfyer se janë dhunuar fizikisht dhe janë lënë pa ushqim për më shumë se 14 orë.

Një tjetër shqetësim lidhet me Bllokun e Sigurisë, ku sipas organizatave janë mbajtur 118 persona, megjithëse kapaciteti normal i këtij ambienti është 67 vende. Të ndaluarit, sipas raportimit, janë detyruar të flenë në dysheme.

Veçanërisht serioze konsiderohen pretendimet për trajtimin e të miturve. Në Komisariatin nr. 1, pesë nga tetë fëmijët e ndaluar kanë pretenduar se janë përballur me dhunë fizike dhe verbale, ndërsa monitoruesit kanë konstatuar shenja dëmtimesh te dy prej tyre. Organizatat thonë se në këto raste nuk janë njoftuar as prindërit dhe as psikologët.

Në deklaratë përmenden edhe dy raste të protestuesve të plagosur, të cilët kanë marrë trajtim në spital duke qenë të prangosur dhe nën mbikëqyrjen e dy efektivëve të policisë, më 16 dhe 24 tetor.

UATC dhe ARCT theksojnë se këto shqetësime nuk janë të reja. Në një raport të paraqitur në tetor 2025 pranë Komitetit të OKB-së kundër Torturës, organizatat kishin evidentuar raste të përdorimit të tepruar të forcës, arrestimeve arbitrare dhe tejkalimit të afateve ligjore të ndalimit të protestuesve.

Sipas tyre, shqetësimet e ngritura nga Komiteti i OKB-së në nëntor 2025 jo vetëm që vijojnë të mbeten aktuale, por situata e dokumentuar gjatë protestave të fundit tregon për përkeqësim të mëtejshëm.

Në këtë kuadër, organizatat i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të ndalojnë menjëherë çdo formë torture dhe keqtrajtimi, të hetojnë në mënyrë të pavarur pretendimet për dhunë policore dhe të garantojnë përgjegjësinë ligjore të personave të përfshirë.

Mes kërkesave të tjera janë lirimi i fëmijëve, ndalimi i të cilëve nuk është vërtetuar nga gjykata brenda afateve ligjore, garantimi i ndihmës mjekësore dhe ligjore për të ndaluarit, si dhe lejimi i monitorimit të pakufizuar nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Një tjetër kërkesë lidhet me dorëzimin e një raporti të plotë nga autoritetet shqiptare pranë Komitetit të OKB-së kundër Torturës deri më 28 nëntor 2026.

Në përfundim, UATC dhe ARCT i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe mekanizmave të Kombeve të Bashkuara që ta ndjekin nga afër situatën në Shqipëri dhe t’i kërkojnë llogari autoriteteve për pretendimet e ngritura.

Po ndodh...