Të harrohesh nga “Google”?

17 Mars 2023, 18:42 / TRENDING ALFA PRESS

Të harrohesh nga “Google”?

Një gjykatë europiane u ka dhënë njerëzve “të drejtën për t’u harruar”, duke detyruar “Google” dhe motorët e tjerë të kërkimit të heqin linqe të caktuar nga rezultatet e kërkimit. Por çfarë lloj gjërash njerëzit duan të harrojnë?

Mario Costeja Gonzalez dëshiron që “Google” të mos paraqesë më një link që tregon se shtëpia e tij ka dalë në ankand, pasi ai nuk shleu dot detyrimet financiare 16 vjet më parë. Rasti i tij mund të ketë pasoja të stërmëdha.
Një ligj që u jep përdoruesve “të drejtën për t’u harruar” ishte propozuar fillimisht dy vjet më parë. Por “Google” e kundërshton këtë lëvizje dhe aktivistët kundër censurës “Index on Censorship” kanë paralajmëruar se ka shumë rreziqe vendimi për të lejuar njerëzit të pastrojnë historinë e tyre personale.
Por pyetja është se cilët mund të jenë njerëzit që përdorin këtë të drejtë e pse?

Peris Broun (Paris Brown), e cila për gjashtë ditë, ishte komisionerja e parë për policinë dhe krimin në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, është shembulli i njerëzve që mund të kenë nevojë për të drejtën për t’u harruar. Broun pati komentuar në “Twitter” kur ishte 14-16 vjeç në mënyrë të tillë që mendimet e saj mund të interpretoheshin si homofobike dhe raciste. Në një deklaratë në kohën e dorëheqjes, ajo mohoi të kishte mendime të pakëndshme dhe se “kishte rënë në kurth duke u sjellë me trimëri në rrjetet e medias sociale”. Rezultati i parë në “Google”, nëse kërkon emrin e saj, sot nxjerr një artikull të “Daily Mail” që e cilëson atë si “gojëçmendur” dhe “agresive”.

Në kohën e rënies publike të Broun, Ann Barnes, komisioneri i policisë së Kentit, u tha reporterëve: “Jam e sigurt se shumë njerëz sot nuk do të kishin vendin e punës që kanë, nëse mendimet e tyre nga mosha e adoleshencës do të analizoheshin me kujdes”.

Punëkërkues që analizohen me “Google”
Punëdhënësit vazhdimisht kërkojnë në “Google” për kandidatët e mundshëm për një vend pune, për të mësuar mbi historinë e tyre – fotot negative apo postimet mund të shihen shkurtimisht dhe jashtë kontekstit, gjë që mund të bëjë diçka të parëndësishme një pengesë të vërtetë për të filluar punë.
Kreu i politikave publike në Institutin për Zhvillimin e Personelit Ben Uilmot (Wilmott), thotë se ai beson se punëdhënësit duhet të vlerësojnë kandidatët, duke u bazuar vetëm në aftësitë e tyre për punën dhe se në ndonjë profil në mediat sociale profesionale si “LinkedIn”. Kërkime të mëtejshme në “Google” do të sjellin analizimin e jetës së tyre personale, gjë që nuk është e mirë. Por një vrojtim i kohëve të fundit zbuloi se 40 për qind e punëdhënësve shikojnë te profilet e medias sociale për t’u informuar për vendimet e tyre për punësim.

“Pyetja është se deri në çfarë mase punëdhënësit duhet të përdorin informacionin që ata gjejnë duke “peshkuar” në ‘Google’”, – thotë ai. Ajo që mund të bëjë ky ligj është që punëdhënësit të rikthehen te pika kur vendimi i punësimit të merret ngushtësisht mbi bazën e kualifikimeve të punëkërkuesit”.
Një studente universiteti, e cila nuk dëshiron të dalë me emër, thotë se mendon se do t’i hyjë në punë e drejta për t’u harruar në të ardhmen. “Njerëzit shpesh thonë se punëdhënësit e mundshëm kërkojnë emrin tënd në ‘Google’ apo ‘Facebook’. Ka fotografi të miat duke vjellë në banjo dhe foto prej të dehure në klube nate. Këto gjëra që gjejnë mënyrën për të dalë në internet nuk besoj se kam dëshirë të shihen nga punëdhënësi im i ardhshëm apo një i dashur i mundshëm”.

Viktimat e dhunës brenda familjes

Ka një aspekt më serioz ky problem se sa punësimi. Viktimat e abuzimeve brenda familjes, shpesh përballen me një situatë kur ish-partnerët e dhunshëm përpiqen t’i gjurmojnë. Viktimave shpesh u përmendet emri nëpër raportime lajmesh mbi krimet e partnerëve të tyre. Detaje marrëdhëniesh të pakëndshme dhe histori të këqija dhune mund të lidhen përgjithmonë me emrat e tyre, edhe pse ata mund të jenë duke u përpjekur të nisin një jetë të re.

Për këtë rast, vendimi europian është diçka e mirë, mendon Polli Neate, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Women’s Aid”, një bamirësi kundër dhunës në familje.

“Ne i përshëndesim këto ndryshime, të cilat do t’u japin mundësi të mbijetuarve të dhunës brenda familjes të kontrollojnë të dhënat e tyre personale të publikuara në internet”, – thotë ajo. Por më e mira do të jetë që të sigurohemi që viktimave të mos u publikohet fare emri.
“Shumë media vazhdimisht krijojnë stereotipa të këqij për dhunën brenda familjes. Lajmet për dhunuesit dhe viktimat paraqiten në mënyrë sensacionale dhe i vënë gratë dhe fëmijët në rrezik për hakmarrje. Media lokale ka përgjegjësinë të sigurohet se historitë e dhunës brenda familjes të mos dëmtojnë të ardhmen e viktimës”.

Dënim i kryer

Në shumë vende, njerëzve të dënuar u jepet e drejta që pas njëfarë kohe dënimi i kryer për një vepër penale të caktuar të fshihet. Për shembull, një dënim me gjashtë muaj burg nuk është më detyrim të raportohet te punëdhënësi pasi të kenë kaluar gjashtë vjet nga kryerja e dënimit. Por “Google” aktualisht nuk e jep këtë të drejtë.

Azilkërkuesit

Shumë azilkërkues kanë shqetësimin se vendndodhja e tyre mund të bëhet publike. Këta njerëz po largohen nga situata të komplikuara në vendet e tyre dhe vendimi shihet pozitiv për ta, pasi u lejon ta lënë pas të shkuarën dhe të pastrojnë të dhënat e tyre në internet.

Efekti Streisand

Por për ata që janë duke luftuar për të drejtën për t’u harruar, shqetësim përbën “efekti Streisand”. Ai e ka marrë emrin nga këngëtarja dhe aktorja Barbra Streisand, dhe argumentohet se përpjekja për të fshirë një informacion nga interneti mund të kthehet në skandal spektakolar. Streisand u përpoq të fshijë fotot e shtëpisë së saj buzë detit, por kjo përpjekje tërhoqi vëmendjen e medias dhe praktikisht e rriti numrin e njerëzve që panë fotot.
Ose është rasti i Maks Moslej (Max Mosley), i cili ndërmori aksion ligjor për të detyruar “Google” të hiqte linqet me fotot e tij gjatë një orgjie me prostituta, për shkak të shkeljes së privatësisë. Ai pati sukses ligjërisht, por vetë gjyqi e rriti nivelin e interesit të publikut për fotot.