U vetëdorëzua pas 1 viti e gjysmë në arrati, ish-burri i Xhuana Nikollit rrëfehet para gjykatës: E dhunova një ditë para se të vriste veten

2 October 2026, 13:23 / AKTUALITET ALFA PRESS

U vetëdorëzua pas 1 viti e gjysmë në arrati, ish-burri i

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, e cila i dha fund jetës pas dhunës së ushtruar nga i riu, doli përpara Gjykatës së Tiranës, ku u njoh me masën e arrestit me burg. Ndaj Fizit, prokuroria ka ngritur akuzat e shkaktimit të vetëvrasjes dhe dhunës në familje. Ai u vetëdorëzua në Policinë e Lezhës pas më shumë se një viti e gjysmë në arrati.

Gjatë seancës, Fizi është shprehur se gjendja e tij psikologjike është e rënduar dhe se do të përballet me pasojat që ka shkaktuar. Ai ka pranuar se e ka dhunuar Xhuanën një ditë përpara se ajo t’i jepte fund jetës, por ka kundërshtuar pretendimet se dhuna ka qenë e vazhdueshme. Lidhur me rrethanat e ngjarjes, Eraldo Fizi është shprehur se do të japë shpjegime në një moment të dytë. Sakaq, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për Fizin, i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Xhuana Nikolli ndërroi jetë në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u paraqit për ndihmë pasi kishte konsumuar fostoksinë. Pas divorcit, ajo ishte larguar nga Lezha dhe jetonte me mikeshat e saj në një shtëpi me qira në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se, para se t’i jepte fund jetës, Xhuana ishte dhunuar dhe i dyshuar ishte Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti. Lidhur me këtë ngjarje, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke u zhvilluar një hetim mbi zyrtarët e policisë, për të vlerësuar nëse i kanë marrë të gjitha masat për hetimin e rastit.

 

NJOFTIM PËR MEDIAN
Mbi interesimin publik të shfaqur, komunikojmë në mënyrë zyrtare informacionin si vijon: Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot, më datë 02.10.2026, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personit nën hetim E. F., me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar”, parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit të çështjes, pas shqyrtimit të provave të paraqitura, në mbështetje të neneve 228, 229, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E. F. me vendimin nr. 643 Regj. Them., datë 16.03.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke urdhëruar mbajtjen e tij në një institucion paraburgimi.

3. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

5. U shpall në Tiranë, sot, më datë 02.10.2026.

 

Po ndodh...