UEFA i kërkon Infantinos të japë dorëheqjen, Evropa gati për votim mosbesimi

1 August 2026, 14:55 / SPORT ALFA PRESS

UEFA i kërkon Infantinos të japë dorëheqjen, Evropa gati

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjendet përballë presionit më të madh të karrierës së tij. UEFA e ka njoftuar zyrtarisht se ai duhet të japë dorëheqjen nga posti, përndryshe do të përballet me një votim mosbesimi që mund ta detyrojë të largohet.

Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, 55 federatat anëtare të UEFA-s janë gati të votojnë kundër Infantinos nëse ai refuzon të japë dorëheqjen, ndërkohë që organit evropian i mjaftojnë vetëm 43 federata për të thirrur zyrtarisht një votim.

UEFA ka qenë e ashpër në deklaratën e saj: “Nuk mund të vazhdojmë kështu, me skema të fshehta dhe afate të përshpejtuara, të gatuara nga individë pa emër dhe me përfitim të dyshimtë për futbollin. Duhet të identifikojmë përgjegjësit dhe t’i mbajmë përgjegjës.”  Organi evropian shton se udhëheqja aktuale e FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e UEFA-s, por edhe atë të pjesës tjetër të familjes së futbollit.

Kjo krizë vjen pas propozimit të kontestuar për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorë privatë – një plan që Infantino u detyrua ta braktisë pas valës së kundërshtimit brenda vetë FIFA-s. Presioni u rrit edhe më shumë kur këshilltari i lartë i Infantinos, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen në shenjë proteste, duke thënë se nuk mund të qëndronte duke parë FIFA-n që konsideronte shitjen e një pjese të Kupës së Botës. Infantino synon një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por situata aktuale e vë atë në pozitën më të pasigurt që nga zgjedhja e tij në 2016.

Po ndodh...

ide