Vërshëllima, hedhje vezësh dhe brohoritje “Ik, ik!”, Vuçiç nuk mirëpritet nga mijëra qytetarë të Nishit

5 September 2026, 14:13 / BOTA ALFA PRESS
Vërshëllima, hedhje vezësh dhe brohoritje “Ik, ik!”,

Një numër i madh qytetarësh u mblodhën sot në Nish në një kundërprotestë ndaj tubimit të mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Sipas pamjeve të publikuara nga mediat lokale, qytetarët fishkëllejnë dhe u drejtojnë thirrje pjesëmarrësve të tubimit të SNS-së. Në vendngjarje ka prani të madhe policore, e cila nuk i lejon protestuesit t’i afrohen vendit ku po mbahet tubimi.

Në një moment, protestuesit brohoritën “Largohu, largohu!”, shkruan nova.rs.

Ndërkohë, mbështetësit e SNS-së u mblodhën me flamuj partiakë dhe shtetërorë, ndërsa nga hapësira ku po zhvillohej tubimi dëgjohej muzikë patriotike.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, mbajti një fjalim para Teatrit Kombëtar në Nish, ku po zhvillohej tubimi i mbështetësve të pushtetit.

Rreth orës 11:34, kordoni policor ndaloi studentët, qytetarët dhe veteranët e luftës në rrugën Vozhdova, rreth 300 metra larg Teatrit Kombëtar. Ata kundërshtojnë ardhjen e Vuçiqit në qytet dhe kërkuan që policia t’i lejonte të kalonin, ashtu siç presidenti kishte deklaruar më herët.

Protestuesit përdorën bilbila dhe vuvuzela, ndërsa brohoritën slogane fyese ndaj Vuçiqit dhe kërkuan të lejoheshin të afroheshin te teatri për të shprehur qëndrimin e tyre.

Më vonë, situata u tensionua. Policia dhe xhandarmëria, të pajisura me mjete për shpërndarjen e protestave, u përballën me qytetarët. Protestuesit hodhën vezë drejt policisë, ndërsa forcat e rendit i shtynë demonstruesit dhe përdorën mburojat.

Kolona e protestuesve më pas vazhdoi të lëvizte, ndërsa në terren u dërguan edhe njësi shtesë të xhandarmërisë.

 

Po ndodh...

ide