“2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”/ Marta Kos: Korrupsioni dhe mungesa e transparencës pengojnë investimet, koston e paguajnë sipërmarrësit dhe të rinjtë
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha sot se 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, por korrupsioni dhe mungesa e transparencës pengojnë investimet.
Marta Kos: Ballkani Perëndimor ka potencial për investime, por korrupsioni dhe mungesa e transparencës pengojnë zhvillimin ekonomik
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Ballkani Perëndimor është pjesë e strategjisë së Bashkimit Evropian për të ardhmen, duke u bërë thirrje investitorëve që të shfrytëzojnë mundësitë ekonomike në rajon.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Kos u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për të investuar në rajon, ndërsa theksoi se për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë, BE-ja po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj.
Ajo përmendi Malin e Zi, që sipas saj është pranë përfundimit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa theksoi se Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë.
Komisionerja theksoi se mundësitë ekonomike në rajon pritet të rriten, ndërsa BE-ja po modernizon mënyrën se si vendet kandidate do të mund të anëtarësohen në Union.
Ajo u ndal veçanërisht te bashkëpunimi në fushën e teknologjisë digjitale, si dhe te rëndësia e lidhjeve të reja të transportit dhe energjisë.
“Ky është moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, bashkimi Evropian po përgatitet që të mirëpresë anëtar të rinj. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave, Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë, viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur. Mundësitë ekonomike pritet të rriten, ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate do të mund të anëtarësohen në BE. Ne synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale. Lidhjet e reja të transportit dhe energjisë, janë veçanërisht të rëndësishme. Shumë prej korridoreve të reja tregtare të Europës kalojën përmes Ballkanit Perëndimor. Kjo është mundësi që Ballkani Perëndimor të shfrytëzoj pozicionin e vet qendror në hartën e Europës. Mesazhi im për investuesit europianë, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu, dhe ato do të shtohen me zgjerimin e qasjes dhe me më shumë fonde nga BE, ndaj shfrytëzojini këto mundësi”, tha ajo.
Pjesë nga fjala e Marta Kos:
Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, BE-ja po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor. Zoti Michel, keni të drejtë, ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030 dhe, edhe një herë tjetër, kishit të drejtë.
Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit që verën e ardhshme. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.
Ne gjithashtu kemi parë edhe Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe të përmirësojë nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE, ndërsa në Serbi, lëvizja studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Pikërisht këto janë reformat që qeveria e mëparshme ka premtuar prej vitesh, por që nuk i ka realizuar kurrë. Qeveria e ardhshme serbe mund ta ndryshojë këtë situatë. Pikërisht këto janë reformat që janë të rëndësishme në rajon, pasi kanë lidhje të drejtpërdrejtë me begatinë dhe prosperitetin ekonomik. Mungesa e transparencës dhe korrupsioni kanë koston e tyre. Kjo kosto paguhet nga sipërmarrësit, të cilët humbasin kontrata përballë konkurruesve me lidhje të forta politike. E paguajnë të rinjtë, të cilët nuk kanë mundësi nëse nuk kanë lidhjet e duhura, dhe e paguajnë tatimpaguesit, paratë e të cilëve përfundojnë në xhepat e individëve privatë.
Pra, një ekonomi mund të lulëzojë vetëm kur ekziston siguria juridike. Ajo u jep investitorëve dhe sipërmarrësve besim për të marrë vendime afatgjata, sepse e dinë që kontratat e tyre do të zbatohen siç duhet dhe se të drejtat e pronësisë do të mbrohen.
Po ndodh...
ide
Nëse Protesta do të nxjerr kandidat për Bashkinë, aleat ka vetëm qytetarët!
Askush nuk është mbi Ligjin!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


