“40 incidente ndaj gazetarëve”/ FNSH shtyu dhe pengoi punonjësit e mediave, AGSH dënon dhunën: Po pengohet e drejta e qytetarëve për t’u informuar

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar ashpër ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe ekipeve televizive gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë në Tiranë. Shoqata e cilëson largimin dhe pengimin e mediave si shkelje të drejtpërdrejtë të lirisë së shtypit dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Reagimi vjen pasi efektivët e policisë kërkuan largimin e grupeve të xhirimit nga zona përpara Kryeministrisë, ndërsa po zhvillohej protesta studentore. Gjatë ndërhyrjes, një gazetar i News24 u përplas verbalisht me policët, duke kërkuar shpjegime për kufizimin e raportimit nga terreni.
Sipas AGSH-së, gjatë ditëve të fundit janë dokumentuar 40 incidente ndaj punonjësve të medias, përfshirë raste dhune, kërcënimesh, goditjesh me plumba gome dhe pengimi në ushtrimin e detyrës.
Asociacioni akuzon Policinë e Shtetit se po vendos kordone sigurie për të bllokuar gazetarët, edhe në raste kur ngjarjet zhvillohen qindra metra larg tyre.
“Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, thekson AGSH.
Shoqata kërkon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të mbajë përgjegjësi për veprimet e efektivëve që drejton, duke theksuar se pengimi i vazhdueshëm i gazetarëve nuk mund të justifikohet.
“Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore”, thuhet në reagim.
AGSH u bën gjithashtu thirrje mediave shqiptare dhe drejtuesve të redaksive të reagojnë publikisht ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë raportimit të protestave.
“Heshtja e mediave përballë dhunës ndaj gazetarëve të tyre është braktisje e atyre që çdo ditë rrezikojnë sigurinë personale për të informuar publikun”, përfundon deklarata.
Reagimi i plotë i AGSH-së:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon ashpër veprimet e Policisë së Shtetit, e cila vijon të pengojë në mënyrë të papranueshme gazetarët dhe ekipet televizive në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ndërkohë që ngjarjet zhvillohen qindra metra larg, Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët, duke u mohuar atyre mundësinë për të dokumentuar dhe raportuar atë që po ndodh.
Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Pas 40 incidenteve të dokumentuara gjatë ditëve të fundit, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar sistematikisht nga efektivët e policisë, kjo situatë është e patolerueshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e strukturave që drejton. Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
AGSH u bën thirrje të gjitha mediave shqiptare dhe drejtuesve të redaksive që të reagojnë publikisht dhe pa ekuivoke ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve të tyre.
Heshtja e mediave përballë dhunës ndaj gazetarëve të tyre është braktisje e atyre që çdo ditë rrezikojnë sigurinë personale për të informuar publikun.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
