Zgjedhjet në Serbi/ Pjesëmarrje e lartë, shqiptarët synojnë tre deputetë

Në Serbi po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku rreth 6,45 milionë qytetarë me të drejtë vote janë thirrur të zgjedhin përbërjen e re të Parlamentit me 250 ulëse. Në garë janë 18 lista zgjedhore, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë të bashkuar përmes listës “Koalicioni Shqiptar”, me numrin 17 në fletën e votimit, duke synuar të sigurojnë tri ulëse në parlamentin serb.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Republikan i Statistikave, deri në orën 12:00 kishin votuar 34,55 për qind e votuesve të regjistruar në të gjithë Serbinë. Drejtori i institucionit, Branko Josipoviç, bëri të ditur se pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në rajonin e Vojvodinës, me 38,08 për qind. Në Beograd pjesëmarrja ishte 35,23 për qind, në Shumadi dhe Serbinë Perëndimore 32,56 për qind, ndërsa në Serbinë Jugore dhe Lindore 31,96 për qind.
Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, pjesëmarrja deri në mesditë rezulton dukshëm më e lartë. Në të njëjtën orë, tre vjet më parë, kishin votuar 21,33 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa këtë herë shifra ka arritur në 34,55 për qind, duke sinjalizuar një angazhim më të madh të elektoratit në procesin zgjedhor.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00, në mijëra qendra votimi në të gjithë vendin. Procesi po ndiqet edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të ODIHR-it. Koordinatori Special i OSBE-së për misionin e vëzhgimit afatshkurtër, Gilles Baum, e ka cilësuar pjesëmarrjen e lartë si një shenjë pozitive për vendin.
Vëmendje të veçantë në këto zgjedhje ka edhe vota e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët synojnë të rrisin përfaqësimin e tyre politik në institucionet e Serbisë. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka ushtruar të drejtën e votës dhe i ka cilësuar zgjedhjet si vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë, por të dalin masivisht për të votuar.
Ndërkohë, procesi zgjedhor po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ku ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kampi i tij përballen me një nga sfidat më të rëndësishme të viteve të fundit. Përballë tyre është fuqizuar një lëvizje e udhëhequr nga studentët, e cila u formua pas protestave masive që kanë vijuar prej afro dy vitesh dhe që tashmë është shndërruar në një faktor të rëndësishëm në skenën politike serbe.
Vuçiç, i cili kryeson listën zgjedhore “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, votoi në Beogradin e Ri, ku më pas u përfshi në një përplasje verbale me gazetarët kroatë. Kur gazetarët u përpoqën t’i drejtonin një pyetje, ai i ndërpreu, duke deklaruar se mediat serbe kanë përparësi.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të përcaktojë jo vetëm përbërjen e re të parlamentit serb dhe balancat politike në vend, por edhe mundësitë për një përfaqësim më të lartë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet qendrore të Serbisë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
