660 mln euro fitime vetëm në dosjen Black Eagle, zyrtarja belge: Si e dominon mafia shqiptare tregun e kokainës

250 milionë euro kokainë e fshehur mes bananeve në port. 200 milionë euro pastë kokaine në fuçi. Maska prej lateksi, armë dhe 198.450 euro cash në një banesë. Këto janë disa nga elementet që shfaqen në dosjet e mëdha të drogës në Anversë të Belgjikës, me një emërues të përbashkët: shqiptarët. Sipas policisë, grupet kriminale që flasin shqip janë shndërruar në disa prej aktorëve më të rëndësishëm të trafikut të kokainës në Evropë dhe kanë një prani të madhe në Anversë. “Ne shohim klane që mbështeten shumë te lidhjet familjare. Personat kyç qëndrojnë këtu, ndërsa anëtarët e bandave udhëtojnë vazhdimisht para dhe mbrapa”, konstaton policia. Kështu funksionojnë disa prej klaneve shqiptare që ndihmojnë në organizimin e trafikut të kokainës në portin e Anversës.
Gjithçka nis më 3 qershor 2021, në portin e Anversës.
Dogana kontrollon një kontejner me banane nga Ekuadori. Mes frutave gjenden të fshehura 6.689 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në tregun e rrugës prej më shumë se 250 milionë eurosh.
Ishte një nga kapjet më të mëdha të drogës të regjistruara ndonjëherë.
Sipas Gjykatës së Apelit në Bruksel, 449 kilogramë nga kjo ngarkesë ishin të destinuara për organizatën Black Eagle.
Emri i organizatës vjen nga shqiponja e zezë dykrenare në flamurin shqiptar.
Pas këtij emri fshihet një makineri ndërkombëtare kriminale me lidhje në vende si Holanda, Italia dhe Kolumbia.
Njëri prej të dyshuarve merret me ndjekjen e kontejnerëve. Një tjetër siguron automjete, kimikate, shoferë ose ambiente magazinimi. Të tjerë ndërtojnë laboratorë, mbledhin paratë cash ose lidhin drejtuesit e organizatës me partnerë lokalë.
Pikërisht për këtë arsye, Black Eagle nuk është thjesht një dosje e madhe droge, por është një shembull i mënyrës se si rrjetet kriminale shqipfolëse janë futur në trafikun evropian të kokainës.
“Roli i organizatave kriminale shqipfolëse është i madh, edhe në trafikun e kokainës që kalon përmes portit të Anversës”, thotë An Berger nga policia federale.
Nga prostitucioni te kokaina
Këto rrjete nuk janë të reja.
Në vitet ’90 dhe rreth fillimit të viteve 2000, grupet shqipfolëse shfaqeshin kryesisht në dosje që lidhen me prostitucionin, vjedhjet e banesave dhe grabitjen e ngarkesave.
Në atë kohë, aktiviteti i tyre kriminal shoqërohej shpesh me dhunë të hapur.
Ndërsa sot mënyra e veprimit ka ndryshuar.
“Nëse je i dhunshëm, tërheq vëmendjen”, shpjegon Berger. “Aty ku janë specializuar tani është diskrecioni. Gjithçka ndodh nën radar.”
Policia përdor qëllimisht termin “rrjete shqipfolëse”, dhe jo thjesht “mafie shqiptare”.
Kjo sepse termi përfshin një grup më të gjerë sesa vetëm shtetasit shqiptarë: edhe persona nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe vende të tjera mund të jenë pjesë e këtyre rrjeteve ose të flasin shqip.
Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për një organizatë të vetme me një shef në krye.
“Nuk flasim për një hierarki të ngurtë”, thotë Berger. “Bëhet fjalë për struktura klanore dhe rrjete që mbështeten fort te origjina, miqësia dhe lidhjet familjare.”
Identitete të rreme dhe anëtarë që vijnë e ikin
Edhe emrat e tyre nuk janë gjithmonë të qartë.
Në dosjet hetimore, të dyshuarit shpesh shfaqen me pseudonime dhe identitete të ndryshme.
“Një gjë që e njohim shumë mirë te organizatat kriminale shqipfolëse është përdorimi i një numri shumë të madh identitetesh të rreme”, thotë Berger.
Edhe qëndrimi i tyre në Belgjikë shpesh është i përkohshëm.
Sipas saj, disa anëtarë të bandave vijnë vetëm për disa muaj, për të kryer një detyrë të caktuar. Marrin me qira një makinë, bëjnë atë që u është kërkuar dhe më pas largohen përsëri.
“Ata përdoren nga klani aty ku ka më shumë nevojë për ta.”
Kjo e bën shumë të vështirë punën e hetuesve për identifikimin dhe ndjekjen penale të tyre.
Por personat kyç të organizatave zakonisht qëndrojnë më gjatë në Belgjikë dhe, sipas policisë, disa prej tyre kanë pasaportë evropiane, gjë që ua lehtëson ndërtimin e rrjetit.
“Kanë njerëzit e tyre kudo”
Ata gjithashtu nuk i bëjnë të gjitha vetë.
“Ata bashkëpunojnë me grupe të tjera kriminale, zakonisht në kushte të barabarta”, thotë Berger.
Në Amerikën e Jugut, personat kyç krijojnë kontakte me prodhuesit e kokainës.
Në zonën e Anversë bashkëpunojnë me grupe që njohin portin dhe dinë si të nxjerrin kokainën nga kontejnerët.
Më tej në zinxhir janë shoferët, magazinat, laboratorët dhe blerësit.
Një avantazh i madh është shtrirja ndërkombëtare e këtyre rrjeteve.
“Ata janë kaq të aftë në ndërtimin e një rrjeti global, sa mund ta kontrollojnë trafikun e kokainës që nga vendet e origjinës deri këtu. Kanë njeriun e tyre në çdo hallkë të zinxhirit.”
Një në gjashtë përdorues të Sky ECC
Se sa i madh ishte realisht roli i tyre u bë më i dukshëm pas zbërthimit të rrjetit të komunikimit të koduar Sky ECC në vitin 2021.
Nga mesazhet e zbuluara pas këtij operacioni, hetuesit mundën të kuptonin më mirë strukturën, lidhjet dhe mënyrën e funksionimit të rrjeteve kriminale shqipfolëse në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Një shifër bie menjëherë në sy. Sipas policisë federale belge, një në gjashtë emra përdoruesish në platformën e koduar Sky ECC shkruante në gjuhën shqipe.
“Ne kemi identifikuar më shumë se 500 PIN-e që lidhen me persona shqipfolës”, thotë Berger. “Ka edhe qindra të tjerë që ende nuk janë identifikuar dhe ne vazhdojmë të punojmë për këtë.”
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo përdorues i identifikuar ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por tregon se sa të pranishëm ishin të dyshuarit shqipfolës në botën kriminale.
Deri atëherë, policia shpesh shihte vetëm pjesë të shkëputura të enigmës: një ngarkesë të kapur, një magazinë ose një shofer.
Sky ECC zbuloi edhe strukturën e sipërme të organizatave.
“Papritur pamë lidhjet mes veprave të ndryshme dhe personave të ndryshëm”, thotë Berger. “Kush qëndronte pas tyre? Kush jepte urdhrat dhe kush i zbatonte? Më parë nuk kishim pamje të qartë për këtë.”
Edhe pesë vjet më vonë, informacioni mbetet i rëndësishëm.
“Ne shohim gjithmonë të njëjtët persona që rikthehen. Ka shumë gjasa që ata që merreshin me këto aktivitete atëherë, të vazhdojnë të merren me to edhe sot.”
Kokaina “në pasqyrë”
Të dhënat e Sky ECC tregojnë përmasat e problemit, ndërsa Black Eagle tregon se si funksionon makina kriminale në praktikë.
Në disa mesazhe të përgjuara, të dyshuarit flasin për kokainë që ndodhet “në pasqyrë”.
Me këtë term ata i referohen një vendi të fshehtë brenda ose pranë sistemit frigoriferik të një kontejneri.
Në një tjetër bisedë, një ngarkesë që vinte nga Santa Marta në Kolumbi dërgohet qëllimisht në “kalatën 234”.
Organizata nuk ndjek vetëm kontejnerin, por edhe kompaninë e transportit detar, vendin ku do të shkarkohet dhe orën e mbërritjes së ngarkesës.
Në anën tjetër, njerëzit që duhet të nxjerrin kokainën nga kontejneri janë tashmë në pritje.
Kapja rekord e 3 qershorit 2021 nuk ishte rast i izoluar.
Në janar 2022, autoritetet gjermane kapën në Hamburg 2.287 kilogramë kokainë, e cila sipas gjykatës ishte destinuar për Black Eagle.
Kokaina hyn në Evropë edhe si pastë
Por porti nuk është destinacioni përfundimtar.
Kokaina hyn në Evropë edhe në forma të tjera: si pastë ose e përpunuar brenda tulit të frutave, kartonit, plehrave kimike apo lëngjeve.
Pasi mbërrin në Evropë, droga duhet të nxirret përsëri përmes proceseve kimike.
“Janë procese jashtëzakonisht të ndërlikuara”, shpjegon Berger.
Për këtë arsye, ndonjëherë nga Amerika e Jugut dërgohen në Evropë të ashtuquajturit “kuzhinierë” – ekspertë kimikë që dinë teknikat e përpunimit të kokainës.
Ata njohin procesin me të cilin kokaina është përpunuar në vendin e origjinës.
Në laborator mund të jetë i pranishëm edhe një person tjetër nga rrjeti, i cili mbikëqyr procesin.
Në zhargonin e organizatës, ai konsiderohet “syri i organizatës kriminale”.
“Breaking Bad” në Zutendaal
Në dosjen Black Eagle, laboratorë të tillë shfaqen në vende të ndryshme të Belgjikës.
Në dy garazhe në Evere, hetuesit gjetën rezervuarë ekstraktimi, filtra, presa dhe sasi të mëdha kimikatesh.
Aty u gjetën gjithashtu uniforma false policie dhe një armë.
Pas bastisjes, një i dyshuar reagoi i irrituar në Sky ECC: “Gjithçka u bë tym”, shkruante ai. “Dy garazhet tona të vogla u zbuluan, bashkë me lëngje dhe vaj kanabisi. Aty kisha uniformat e policisë dhe edhe armën tënde.”
Në Deurne u zbulua një laborator edhe më i madh.
Hetuesit gjetën, ndër të tjera, kimikate, gjurmues GPS, armë zjarri, një maskë prej lateksi dhe një varkë të fryrë.
Në 22 fuçi kishte, sipas dosjes, gjithsej rreth 800 kilogramë pastë kokaine.
Gjykata e vlerësoi vlerën e saj në rreth 200 milionë euro.
Por skena më mbresëlënëse ndodhi në Zutendaal.
Ishte sikur krijuesit e serialit “Breaking Bad” të ishin zhvendosur përkohësisht në Limburg.
Laboratori i kokainës në Zutendaal
Pamjet e kamerave tregojnë se si disa burra fusin në një magazinë fuçi, kimikate dhe pajisje. Më pas, brenda saj vendosin një çadër të thjeshtë feste. Nën tendë ndërtojnë një laborator klandestin për përpunimin e kokainës.
Një “kuzhinier” kolumbian deklaroi më vonë se kishte ardhur pesë herë në Zutendaal për të nxjerrë kokainën nga tuli i bananeve. Sipas tij, aty ishin përpunuar të paktën 90 kilogramë.
Një tjetër i dyshuar mohon se ka qenë ndonjëherë në laborator. Problemi është se ADN-ja e tij u gjet në bishta cigaresh, ndërsa ai shfaqet edhe në pamjet e kamerave.
“Kuzhinieri” u arrestua në nëntor 2024, në një pikë kufitare në Peru.
Kjo tregon se Belgjika është më shumë sesa thjesht një vend tranziti. Ajo është edhe vend përpunimi dhe qendër shpërndarjeje.
Pasi kokaina nxirret nga materiali ku është fshehur, ajo përzihet, paketohet dhe shpërndahet më tej nëpër Evropë.
Një fjalë: “Tirana”
Në fund të zinxhirit është paraja.
Më 9 shkurt 2022, nga Deurne niset një Citroën Berlingo me ndarje të fshehta të ndërtuara brenda tij, në drejtim të Berlinit.
Shoferi duhet të marrë atje 50.000 euro.
Fillimisht merr një adresë të një kafeneje në rrugën Güntzelstrasse.
Në orën 12:58 vjen një mesazh i ri, me vetëm një fjalë: “Tirana”.
Sipas gjykatës, ky ishte kodi për dorëzimin e parave.
Një javë më vonë, hetuesit gjejnë në një banesë në Deurne 198.450 euro cash.
Paratë janë shpërndarë nëpër shtëpi, garazh dhe një automjet. Një pjesë është fshehur në një kapak të vidhosur mbi vaskën jacuzzi.
Pas një dërrase të poshtme në dhomën e veshjes gjenden bizhuteri.
Në një sirtar: gjashtë diamante me certifikata.
Kështu duket fitimi i drogës përpara se të pastrohet: tufa kartëmonedhash në kuti, rroba, automjete dhe hapësira të fshehta.
Paratë pastrohen edhe përmes Ballkanit
“Pastrimi i parave bëhet këtu përmes bizneseve të gastronomisë dhe pasurive të paluajtshme, por edhe përmes kriptomonedhave”, thotë Berger.
“Por mbi të gjitha, paratë nxirren drejt vendeve të origjinës, drejt Ballkanit.”
Ndonjëherë kjo bëhet në mënyrë shumë tradicionale.
“Dhjetëra mijëra euro futen në një hapësirë të fshehtë të një makine dhe dërgohen atje. Ose dikush thjesht i merr paratë me vete në avion.”
Në Ballkan, paratë shpesh investohen në pasuri të paluajtshme, të regjistruara në emër të familjarëve ose personave të besuar.
Sipas Berger, nga viti 2023 deri në 2025, në dosjet belge që lidhen me organizatat kriminale shqipfolëse janë sekuestruar më shumë se 60 milionë euro.
“Por kjo është vetëm një pjesë e vogël.”
Gjithnjë e më shumë vende evropiane po përdorin kohët e fundit legjislacionin antimafia të Shqipërisë dhe po i dërgojnë informacion gjyqësorit shqiptar, me qëllim që të mundësohen sekuestrime të mëdha të shtëpive, hoteleve etj.
“Kjo ka ndodhur tashmë në disa dosje belge”, thotë Berger. “Hapi tjetër është që këto pasuri të rikthehen këtu.”
Gati 660 milionë euro fitime kriminale
Vetëm në çështjen Black Eagle, Gjykata e Apelit në Bruksel vlerësoi se të ardhurat kriminale, nga janari 2018 deri në shkurt 2022, arrinin në gati 660 milionë euro.
Dy drejtuesit kryesorë të bandës u dënuan në korrik 2025 me nga 15 vite burg secili.
Rrjetet nuk janë zhdukur
Në gjysmën e parë të vitit 2026, dogana kapi në portin e Anversës 5,4 tonë kokainë, krahasuar me 16,7 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është një rënie prej gati 66%.
Megjithatë, sipas Berger, kjo nuk do të thotë se strukturat kriminale janë zhdukur.
“Fakti që aktualisht duket se po hyn më pak kokainë përmes portit të Anversë nuk do të thotë se këto struktura nuk ekzistojnë më”, paralajmëron Berger.
“Ato janë ende aty. Bëhet fjalë për rrjete shpërndarjeje.”
Dhe Belgjika vazhdon të mbetet një pikë kyçe në këtë zinxhir.
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128