Atentati në Dukagjin/Babë e bir u ekzekutuan me breshëri plumbash, pista kryesore e hetimit

24 August 2026, 09:17 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë në Dukagjin, ku mbetën të vrarë babë e bir, ndërsa një person tjetër që ndodhej në automjet shpëtoi dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në Shkodër, ai u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Atentati dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan. Babë e bir po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, kur automjeti u qëllua me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5. Përdorimi i dy armëve ka ngritur dyshimet se në atentat mund të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.

Forca të shumta policie dhe efektivë të RENEA-s janë angazhuar në kontrollet në zonën e thellë malore për gjetjen e autorëve. Mbërritja në vendngjarje është vonuar për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së sinjalit telefonik.

Familjarët kanë deklaruar se viktimat nuk njiheshin për konflikte dhe nuk kishin dijeni për kërcënime të mëparshme.

Dyshimet momentale të policisë për këtë vrasje janë tek divorci i 57 vjeçarit tre muaj më parë me bashkëshorten e tij me të cilën ka 4 fëmijë. Megjithatë ende nuk ka prova konkrete që e lidhin vrasjen me divorcin por kjo është pista ku grupi hetimor është fokusuar menjëherë pas vrasjes së dyfishtë.

Nga ana tjetër, Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte ngarkuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit dhe po ashtu kishte edhe një eskavator bashkë me një shtetas tjetër të zonës që po ashtu punonin.

Policia dhe Prokuroria po punojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të vrasjes së dyfishtë.

 

Po ndodh...