Haaland befason fansat, ndryshon look-un para debutimit me Manchester Cityn

23 August 2026, 23:12 / SPORT ALFA PRESS
Haaland befason fansat, ndryshon look-un para debutimit me Manchester Cityn

Erling Haaland ka surprizuar fansat vetëm pak orë para ndeshjes së parë të Manchester Cityt në sezonin e ri të Premier League, duke i dhënë fund një prej pamjeve të tij më karakteristike.

Sulmuesi norvegjez është shfaqur me flokë të shkurtër, duke rikthyer një stil të ngjashëm me atë që mbante gjatë periudhës së tij te Borussia Dortmund.

26-vjeçari ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale edhe momentet e ndryshimit të look-ut, duke e shoqëruar postimin me frazën: “New hair, don’t care”.

Modeli i flokëve të gjatë nuk ishte thjesht një zgjedhje estetike për Haalandin. Në një intervistë të dhënë në korrik, ai tregoi se Zlatan Ibrahimovic i kishte dhënë një këshillë të veçantë për flokët.

“Zlatan, e dini çfarë më tha? Mos i prit kurrë flokët, sepse forca është te flokët”, kishte rrëfyer sulmuesi.

Tashmë, Haaland do të debutojë me pamjen e re në fushë, teksa Manchester City përballet me Bournemouth në ndeshjen hapëse të sezonit.

Norvegjezi vjen pas një vere të spikatur me kombëtaren e tij në Kupën e Botës 2026, ku shënoi shtatë gola dhe ndihmoi Norvegjinë të arrinte deri në çerekfinale.

Me ndryshimin e look-ut, Haaland ka krijuar një tjetër moment për t’u komentuar, ndërsa vëmendja tani zhvendoset te ajo që di të bëjë më mirë: golat.

 

 

 

Po ndodh...