Historia tronditëse e çiftit nga Librazhdi, i vogli i tyre në luftë me jetën…

21 Mars 2025, 22:57 / AKTUALITET ALFA PRESS

Historia tronditëse e çiftit nga Librazhdi, i vogli i tyre në

Ishte viti 2002, Ilda një vajzë plot ëndrra kishte lënë pas qytetin e lindjes, Lushnjën për të vazhduar studimet për ekonomik në Tiranë.

Shpesh herë shkëmbente shikimet me Mikelin, djalin nga Librazhdi i cili nuk pati asnjëherë guximin t’i fliste e t’i shprehte pëlqimin. Fati deshi që rrugët e tyre të bashkoheshin sërish në vitin 2020. Tashmë Mikeli një inxhinier mekanik e Ilda një ekonomiste e zonja. Dhe gjithçka vijoi natyrshëm, ashtu si në vitet e universitetit, derisa dy të rinjtë vendosën të kurorëzonin në martesë dashurinë e tyre.

Dëshironin pafund të bëheshin prindër. Pas një viti martesë, erdhi lajmi i shumëpritur për ta, do të kishin një fëmijë. Sa u lumturuan e sa u përlotën kur dëgjuan tingullin e parë të rrahjeve të zemrës së foshnjës. Muajt e parë të shtatzënisë çdo gjë po ecte për bukuri derisa një natë Ilda ndjeu disa shtrëngime të forta në bark. U frikësua dhe u nis direkt në spital. Pas ekzaminimeve mjekët i thanë se duhet të qëndronte në regjim shtrati pasi rrezikonte të abortonte. Tronditja ishte e madhe. Çfarë do të ndodhte me bebin?

Në këto kushte të vështira ku çifti kishte nevojë për ndihmë, nëna e Mikelit, Ferasete u detyrua të largohej për disa kohë nga shtëpia e saj në Librazhd për në Tiranë për t’i bërë shërbim Ildës. Për më shumë se dy javë u përkujdes për të, i qëndroi pranë çdo moment duke i dhënë kurajo. Por bebi nuk mundi të luftonte më.

Pas shumë kurash të gjata me medikamente, Ilda ngeli sërish shtatzënë. U lumturua, por këtë herë ndjesia e frikës e shoqëronte, a do të mundej vallë ta çonte deri në fund këtë shtatzëni? Mjekët sërish i rekomanduan regjim shtrati e vjehrra e saj, zonja Ferasete u kujdes për Ildën sikur ta kishte bijën e saj. Por sërish shtatzania nuk mundi të shkonte deri në fund. Në muajin e tretë, gjithçka përfundoi dhe Ilda me Mikelin për herë të dytë u kthyen në shtëpi duarbosh.

Një vit më vonë, Ilda mësoi se ishte përsëri shtatzënë. Pasi kaluan tre muajt e parë, frika se mund ta humbiste edhe këtë fëmijë u zbeh paksa. Rreziku më i madh kishte kaluar. Vendoste dorën tek barku dhe ndjente sikur po përkëdhelte gjithë botën. I fliste bebit, i këndonte teksa ëndërronte pafund momentin kur do ta merrte në krahë.

Mikeli po fluturonte nga gëzimi. Do të bëhej baba për herë të parë. Pas ekografisë mësuan se do të bëheshin prindër të një djali. Por Kei lindi parakohe, erdhi në jetë pak ditë para se të mbusheshin 7 muaj nga shtatzënia./TCH