Atentati ndaj Kristian Markut/ Apeli lë në burg Erald Cenajn, nuk tregon se kujt ia shiti “Golf 5-n”

26 Mars 2025, 17:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

Atentati ndaj Kristian Markut/ Apeli lë në burg Erald Cenajn, nuk

Gjykata e Apelit, ka lënë të paprekur masën e sigurisë “arrest në burg” për Erald Cenaj, kuksianin e arrestuar lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së Kristian Markut në Vlorë.

Cenaj akuzohet nga prokuroria e Vlorës për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje”. Ndërsa vetë i arrestuari nuk ka pranuar akuzën, duke pretenduar se është përfshirë në këtë ngjarje në mënyrë të gabuar.

Por pretendimet e Cenaj nuk janë konsideruar të besueshme nga gjyqtarja e Apelit, Alma Kolgjoka, e cila vendosi të miratojë masën e arrestit në burg për të riun e arrestuar.

Sipas dosjes hetimore të përpiluar nga prokuroria e Vlorës, një numër shasie që nuk ishte fshirë në pjesën e motorit të makinës që u përdor në atentatin ndaj Kristjan Markut, ishte gjurma që çoi policinë në gjurmimin e mjetit dhe arrestimin e 36-vjeçarit Cenaj me akuza për lidhje me krimin e shënuar më 13 janar 2025 në Vlorë.

Ekzekutorët e 30-vjeçarit nga Mirdita, sipas të dhënave nga hetimi, ishin kujdesur të fshinin numrin e shasisë së makinës, por kishin lënë  të njëjtin numër të stampuar në motorin e mjetit, plotësisht të djegur në zonën e kripores në Vlorë, disa minuta pas ngjarjes.

Mbi këtë të dhënë, hetuesit zbuluan se makina ka hyrë në Shqipëri në vitin 2022 përmes doganës së Morinës nga një shtetas nga Kosova.

Ky i fundit i marrë në pyetje ka pranuar se makina ishte tij, por ka pretenduar se ka shitur asnjë deklaratë noteriale, një personi në Kukës, shtetasit Erald Cenaj.

Menjëherë policia kriminale ka lokalizuar dhe ndaluar Erald Cenajn duke e marrë në pyetje 36-vjeçarin dhe ballafaquar me shitësin kosovar.

Erald Cenaj ka pranuar se kishte blerë makinën, por njëherësh u ka treguar punonjësve të policisë se mjetin “Golf 5” ai ja kishte shitur një personi tjetër në Shqipëri, sërish pa asnjë dokument.

Gjatë dëshmisë së tij, Cenaj është justifikuar se nuk e kujtonte blerësin e makinës dhe shumën e financiare që e kishte shitur makinën. Ky qëndrim ka sjellë arrestimin e tij nga policia e Vlorës, për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”.

Për momentin Erald Cenaj është personi i vetëm i arrestuar në lidhje me atentatin e stilit mafioz ndaj 30-vjeçar Kristjan Marku.

 

Po ndodh...