Kitaristja kanadeze performon në Pedonalen e Beratit: Prej 15 vitesh interpretoj në shtete të ndryshme

15 Shkurt 2025, 12:47 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kitaristja kanadeze performon në Pedonalen e Beratit: Prej 15 vitesh

Një instrumentiste nga Kanadaja prej dy javësh është vendosur në Berat, për të luajtur në kitarë në pedonalen e qytetit.

Instrumentistja 30-vjeçare Allison Vonderlande e ka nisur rrugëtimin e saj në botën e artit që në moshën 6-vjeçare, ku filloi të mësonte instrumentin e pianos, ndërsa në moshën 15-vjeçare mori mësimet e para në kitarë, për t’i vijuar gjerësisht edhe në universitet.

Vajza nga Montreali rrëfen se më parë ka punuar si kameriere në bare e restorante të ndryshme, por të ardhurat ishin të pamjaftueshme për të përballuar jetesën, ndaj miqtë e saj e nxitën që ajo të interpretonte në rrugë.

“Kam filluar të luaj në kitarë që në moshën 15-vjeçare, ëndrra ime është të krijoj një bandë muzikore me miqtë e mi. Kam punuar në bare e restorante të ndryshme, por paga ishte e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e mia. Kështu, miqtë më këshilluan të luaja në kitarë, fillimisht në rrugë. Kështu arrij të fitoj katërfishin e pagës që merrja si kameriere.”- tha ajo.

Kitaristja kanadeze rrëfen se pas përfundimit të studimeve, për 15 vjet me radhë ajo zhvendoset në shtete të ndryshme të botës, për të luajtur në kitarë në sheshet e qyteteve kryesore.

“Pas përfundimit të universitetit për 15 vjet kam shëtitur në shumë shtete, për të luajtur në kitarë në rrugët e qyteteve. Ndaj stacioni im i radhës ishte Shqipëria, përkatësisht Berati", tha ajo./News24