Luftë e egër mes trafikantëve në kufirin Serbi-Hungari/ Si furnizohen me armë afganët dhe marokenët nga bandat shqiptare

4 Janar 2024, 14:27 / AKTUALITET ALFA PRESS

Luftë e egër mes trafikantëve në kufirin Serbi-Hungari/ Si
Nga Sasa Dragojlo “The New European”

Serbia është shndërruar në një qendër për trafikantët e njerëzve, dhe ata e kanë kthyer në një zonë lufte vijën kufitare me Bashkimin Evropian. Zhurma e të shtënave të kallashnikovit është kthyer në një “normalitet të ri” për banorët e periferisë së Suboticës, qyteti më verior i Serbisë në kufi me Hungarinë.

“Kjo ndodh thuajse çdo natë”- më thanë banorët e zonës gjatë udhëtimeve të mia në kufi, ku investigoja bandat që merren me trafikun e qenieve njerëzore. Ata po zhvillojnë një tregti fitimprurëse në transferimin e refugjatëve dhe emigrantëve përmes kufijve të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në fillim bandat ishin siriane, por kohët e fundit ato janë afgane dhe marokene dhe janë bërë aq të dhunshme, saqë po luftojnë prej më shumë se 1 viti midis tyre për territor dhe para. Kufiri i pyllëzuar u bë fushëbeteja e tyre. Në korrikun e vitit 2022, një luftë midis bandave rivale afgane ishte aq e ashpër sa shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e 7 të tjerëve, përfshirë një vajzë 16-vjeçare nga Irani.

Një përleshje tjetër midis marokenëve dhe afganëve në qytetin kufitar Horgos, ku mbetën të plagosur 6 persona, ishte një shenjë tjetër se gjërat kishin dalë jashtë realisht kontrollit. Pamjet treguan burra të armatosur që vraponin para shkollës fillore të zonës. Deri më sot në zonë ka pasur me dhjetëra incidente të ngjashme. Pasi 3 persona të tjerë u vranë në një përplasje midis bandave afgane më 27 tetor të vitit të kaluar, policia serbe vërshoi në veri të vendit, duke vendosur atje numrin më të madh të oficerëve të policisë që nga vrasja e kryeministrit serb, Zoran Djindjić, në vitin 2003.

Madje presidenti serb Aleksandar Vucic kërcënoi se do të dërgonte ushtrinë. Por ky reagim i ashpër ishte më shumë për arsye populiste. Sepse në mes të dhjetorit do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. E gjitha kjo situatë e rrezikshme mund të ishte parandaluar shumë kohë më parë.

Si një gazetar investigativ, unë kam hulumtuar për gati 3 vjet mbi këtë çështje dhe e kam paralajmëruar publikun mbi atë që po ndodhte. Në vitin 2022, publikova një investigim të detajuar për një kontrabandist sirian, grupi i të cilit i ngacmonte refugjatët për t’i shfrytëzuar për punët e tij. Thelbi i zbulimit që bëra ishte se kreu i bandës ishte në fakti përkthyes zyrtar i policisë serbe dhe gjykatave serbe. Ai përdorte lidhjet e tij policore për të dëmtuar rivalët dhe madje u vendosi armë nëpër çanta gjatë kontrolleve.

Autoritetet arrestuan disa nga bashkëpunëtorët e tij, por jo atë apo miqtë e tij në radhët e policisë. Situata u përkeqësua, dhe përplasjet e armatosura u shndërruan në një dukuri normale. Por si ka mundësi që këto banda të huaja kanë kaq shumë armë në dispozicion, dhe kush po i furnizon ato? Pse nuk reagon policia dhe organet e tjetra të sigurisë? Në shtator të vitit që kaloi, unë publikova një investigim që zbuloi se bandat kriminale shqiptare, kryesisht nga Kosova, janë furnizuesit kryesorë me kallashnikovë për bandat marokene dhe afgane.

Unë e ilustrova investigimin me video dhe foto, me korrespondencën e personave brenda bandave, ku ata bien dakord mbi pikat e dorëzimit të armëve, duke qenë praktikisht gati si dosje penale për prokurorinë para autoriteteve serbe. Madje publikova një foto të turpshme të trafikantëve hipur mbi një makinë policie, duke treguar se sa thellë ka shkuar korrupsioni. Me fortifikimin e kufijve të Bashkimit Evropian, trafikantët e emigrantëve të paligjshëm u bënë gjithnjë e më të rëndësishëm për njerëzit që vinin në Evropë nëpërmjet asaj që quhet Rruga Ballkanike.

Midis shkopinjve të policisë dhe telave me gjemba, ata zgjedhin kriminelë të pamëshirshëm të armatosur që shpesh i rrëmbejnë, torturojnë dhe shfrytëzojnë, pasi s’kanë zgjidhje tjetër. “Ne po kërkojmë një shans për të mbijetuar. Është një situatë për jetë a vdekje”- më tha në tetor 2023 një nga refugjatët afganë, duke përshkruar brutalitetin e policisë, kushtet e vështira, dhe bandat brutale dhe lakmitare.

Politika e Bashkimit Evropian mbi emigracionin është një dështim i plotë. Askush nuk është i lumtur dhe askush nuk ka një zgjidhje të besueshme për problemin e përballjes me nivelet në rritje të emigrimit, të cilat nxiten nga lufta, uria, mungesa e ujit dhe ndryshimet klimatike. Në situatën aktuale në kufirin Serbi-Hungarinë, autoritetet serbe kanë luajtur një rol të dyfishtë: nga njëra anë kanë bërë sikur kanë mbrojtur kufirin e BE-së, dhe nga ana tjetër kanë lejuar kontrabandistët që të nxjerrin emigrantët nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur. Shumë individë të korruptuar i kanë mbushur xhepat e tyre me para të pista.

Aktualisht policia serbe po kryen shumë arrestime, duke shpenzuar miliona nga paratë e taksapaguesve për kontrollin e zonës kufitare. Por nëse diçka nuk ndryshon në thelb, ne do të vazhdojmë të dëgjojmë gjatë natës të shtënat e kallashnikovëve.

 

Po ndodh...