SHBA, Trump kërkon të ndryshojë formulën e votimit në disa shtete

26 Mars 2025, 13:20 / BOTA ALFA PRESS

SHBA, Trump kërkon të ndryshojë formulën e votimit në

Presidenti i SHBA, Donald Trump, kërkon të ndryshojë formulën e votimit në disa prej shteteve në Amerikë.

Të martën ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku i kërkon atyre që në të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore askush të mos lejohet që të votojë pa pasur një dokument të vlefshëm që tregon që ai është shtetas amerikan.

Ky vendim vjen pasi në disa shtete votuesit nuk duhet të paraqesin një dokument që tregon shtetësinë amerikane, por votojnë edhe me patenta apo dokumente të tjera.

Por ka edhe raste si në Nevada, ku votuesit mjafton të nënshkruajnë emrin e tyre në qendrën e votimit dhe nënshkrimi krahasohet me nënshkrimin dhe ID që kanë dhënë kur janë regjistruar për të votuar.

Në bazë të këtij urdhri, Sekretari i Sigurisë Kombëtare duhet të sigurojë që shtetet e SHBA-së të kenë akses në sistemet që verifikojnë shtetësinë ose statusin e imigracionit të njerëzve që regjistrohen për të votuar.

Trump ka vënë në pikëpyetje prej kohësh sistemin zgjedhor të SHBA-së që nga zgjedhjet elektorale të vitit 2020, ku tha se rezultatet ishin me mashtrim votash dhe një numër masiv votash nga jo qytetarë, gjë që është e padrejtë.

“Duhet të rregullojmë zgjedhjet tona, ky vend është kaq i sëmurë për shkak të zgjedhjeve, zgjedhjeve të rreme dhe zgjedhjeve të këqija, ne do ta rregullojmë këtë në një mënyrë ose në tjetrën”, tha Trump të martën.

Urdhri ekzekutiv kërkon nga votuesit të provojnë shtetësinë e tyre dhe ndalon numërimin e fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas datës së zgjedhjeve.

Ky urdhër, gjithashtu, do të detyrojë shtetet të zbatojnë këtë mase për të verifikuar shtetësinë dhe të heqin fondet federale nga ato shtete të cilat nuk e respektojnë.

Grupet e të drejtave të votës dhe ekspertët ligjorë kanë paralajmëruar se ky urdhër mund të sjellë sfida ligjore të mëdha.

Duke thelluar ndarjet midis republikanëve dhe demokratëve, me republikanët që kërkojnë më shumë masa sigurie dhe demokratët që kërkojnë që të gjithë të kenë të drejtën për të votuar.

 

Po ndodh...