Mallkimi i dëmtimeve/ Tek Elbasani, 7-ta është tersi i skuadrës

29 Mars 2025, 14:08 / SPORT ALFA PRESS

Mallkimi i dëmtimeve/ Tek Elbasani, 7-ta është tersi i

Me arritjen e numrit të “artë” 40 pikë, që nënkupton në njëfarë mënyre edhe limitin e pikëve për të siguruar mbijetesën, Elbasani luan më i qetë në pesë javët e mbetura. Objektivi është sigurisht “Final 4”, që, nëse do të arrihej, do të konsiderohej si një bonus jo i vogël në vitin e parë në elitë.

Por, edhe nëse nuk ndodh, gjithsesi verdheblutë do të ishin të kënaqur me atë që bënë sezonin e parë. Tani, pas kalimit me sukses të skuadrës së Laçit, mes një morie mungesash, verdheblutë do të tentojnë që të përsërisin të njëjtën gjë edhe të hënën ndaj Tiranës në “Elbasan Arena”.

DËMTIMI I MUSTËS – Lajmi më i keq i këtyre ditëve për Elbasanin ka qenë pikërisht dëmtimi i Emiljano Mustës në stërvitje, ku ka thyer gishtin e dorës. Për pasojë, ka kryer një ndërhyrje dhe ka vendosur dorën në allçi, duke ia bërë të pamundur për momentin rikthimin në fushë.

Burimet pohojnë se mbrojtësi do të mungojë së paku disa javë dhe ndoshta në ndeshjet e fundit mund të bëhet gati. Mirëpo, problemi më i madh i mungesës së tij nuk lidhet me detyrën e tij në mbrojtje, sepse aty mund të luajë Hakaj dhe zëvendësojë, por me performancën e tij në sulm. Bëhet fjalë për golashënuesin aktual të ekipit me shtatë gola dhe për më tepër nga pesë golat e fundit, katër mbajnë firmën e tij dhe një autogoli i Shabanit me Laçin. Me pak fjalë, Gvozdenoviç humb një mbrojtës të rëndësishëm, por njëkohësisht humb edhe golat në këtë fund kampionati.

MALLKIMI I NUMRIT “7” – Në futboll thuhet se duhet fat për t’ia dalë dhe Elbasani nuk e ka pasur me vete atë. Me sa duket, ekipin po e ndjek një mallkim. Thuhet kështu, pasi në momentin që në skuadër shpërthen një lojtar, duke bërë liderin dhe garantuar golat, ai dëmtohet. I pari që e pësoi ishte sulmuesi Arsen Lleshi, i cili pasi kapi formën e tij maksimale, ndalet pas një dëmtimi dhe humb sezonin. Deri në atë moment ai kishte shënuar shtatë gola dhe ishte golashënuesi i skuadrës. E njëjta gjë edhe me Emiljano Mustën.

Nisi të bënte liderin dhe shënonte, por kur arrin kulmin ka fatin e shokut të skuadrës. Ndalet pikërisht kur shkon në kuotën e shtatë golave. Me sa duket, lojtarët që arrijnë në kuotën e shtatë rrjetave tek Elbasani i ndjek një “mallkim” dhe dëmtohen. Shpresohet që të mos ndjekë ndonjë futbollist tjetër nëse arrin në kuotën e shtatë golave, ku Ze Gomesh me Tsagen janë në kuotën e pesë rrjetave deri më tani.

 

Po ndodh...