Disiplina nuk fal: Ilir Daja pezullohet me 5 ndeshje, Topuzi me 10

30 October 2026, 19:39 / SPORT ALFA PRESS

Disiplina nuk fal: Ilir Daja pezullohet me 5 ndeshje, Topuzi me 10

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e mbledhjes së datës 30 tetor 2026, ku në vëmendje janë pezullimet e dhëna për zyrtarët e klubeve të Superiores dhe kategorive të tjera.

Trajneri i FC Dinamo City, Ilir Daja është dënuar me 5 ndeshje pezullim nga veprimtaritë, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Për të njëjtën masë ndëshkimore është dënuar edhe zyrtari i Flamurtarit, Shkëlqim Ramaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Ndërkohë, dënimi më i rëndë individual është dhënë për zyrtarin e KF Pogradecit, Xhuliano Topuzi, i cili është pezulluar me 10 ndeshje nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në bazë të vendimit, Topuzit i ndalohet edhe hyrja në të gjitha stadiumet gjatë periudhës së pezullimit.

Për sa i përket klubeve, KF Pogradeci është dënuar me 300 mijë lekë gjobë për dështimin në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes, hyrjen e personave të paautorizuar në fushë dhe hedhjen e sendeve nga spektatorët, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe lojtarëve kundërshtarë. Në zbatim të rregullores, gjoba do të aplikohet në masën 50%.

Edhe Flamurtari FC është ndëshkuar me 200 mijë lekë gjobë për hedhjen e sendeve në fushë nga spektatorët dhe rrezikimin e sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes. Edhe në këtë rast, gjoba do të aplikohet në masën 50%.

Në listën e vendimeve është përfshirë edhe AF Elbasani, i cili është gjobitur me 50 mijë lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës. Ndërkohë, zyrtari i klubit, Armand Memetaj, është pezulluar me 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Një tjetër ndëshkim është dhënë për zyrtarin e Dinamo City, Mark Dodaj, i cili është pezulluar me 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Nga ana tjetër, lojtari i KF Tiranës, Owono Nchama Basilio Ndong, është dënuar me 2 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar.

KF Bylis është gjobitur me 50 mijë lekë për mosrespektimin e përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit, duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës. Sipas vendimit, edhe kjo gjobë do të aplikohet në masën 50%.

Në fund, Komisioni ka pranuar kërkesën e Qëndrim Ismailit dhe i ka dhënë KF Tiranës një afat paralajmërues prej 30 ditësh për ekzekutimin e vendimit nr. 8, datë 2 prill 2026, të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

Kundër vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit të FSHF-së.

Po ndodh...