'El Chapo' shqiptar në jahtin e Palasës, nga hetimet e SPAK te projektet miliona euro në Tiranë
Pashk Gjinaj, i njohur edhe si Anton Gjinaj, është njëri nga katër personat që ndodheshin në bordin e jahtit të ndaluar së fundmi nga policia pas raportimit për të shtëna me armë zjarri në zonën e Palasës.
Bashkë me të u ndaluan edhe Bruno Çela, Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati.
I njohur në fushën e biznesit në Shqipëri, Gjinaj është përmendur ndër vite në disa procedura gjyqësore dhe hetime pasurore.
Gjinaj, i lindur më 8 prill 1966 në Pukë dhe në dokumentet e bëra publike nga autoritetet figuron edhe me emrin Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini). Sipas të dhënave të publikuara, ai ka ndryshuar emrin nga Pashuk Gjini në Anton Gjinaj në vitin 2011. Madje, ai ka marrë dhe pseudonimin ‘El Chapo’.
Emri i tij është lidhur me disa shoqëri tregtare që operojnë në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin dhe aktivitete të tjera private.
Në vitin 2022, Prokuroria e Posaçme ndërmori një procedurë pasurore ndaj tij, ku u vendosën masa sigurie mbi disa pasuri dhe shoqëri të lidhura me të.
Sipas të dhënave të publikuara nga SPAK, procedimi pasuror ndaj tij ishte regjistruar në vitin 2021 dhe përfshinte verifikimin e pasurive të tij dhe të personave të lidhur me të.
Në listën e pasurive të sekuestruara të publikuara nga autoritetet u përfshinë disa kompani, mes tyre “Alesio 2014”, si dhe subjekte të tjera tregtare.
Leje për 3 kulla në emër të ekonomistes dhe krushkut
Gjinaj zotëronte, përmes kompanisë kryesore “Alesio 2014”, një rrjet aktivitetesh në ndërtim, ku dyshohet se kanalizoheshin miliona euro nga trafiku i drogës. SPAK i vuri nën sekuestro kompaninë, bashkë me 22 pasuri të tjera që përfshinin toka, apartamente, makina dhe llogari bankare.
Në atë kohë, u fol për një sukses të madh. Por tre vite më pas, goditja e SPAK ka rezultuar një “flluskë” pasi rrjeti i tij ka vijuar aktivitetin duke përdorur njerëz të afërt si kamuflim. E më konkretisht, ekonomisten dhe krushkun e Pashk Rrapit.
Vetëm katër muaj pas sekuestrimit të pasurisë së Rrapit, më 10 tetor 2022, ekonomistja e “Alesio 2014”, Arjola Hysa, 30 vjeçe, regjistron në QKB një kompani të re: “Hein Invest shpk”, me kapital vetëm 100 mijë lekë. Për 3 vite, kompania nuk ka dorëzuar asnjë bilanc financiar.
Leja e parë: në nëntor 2024, për një kompleks prej tre kullash me 23, 25 dhe 27 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, në Sheshin Shqiponja.
Leja e dytë: në janar 2025, për një tjetër kompleks rezidencial, këtë herë me 24, 26 dhe 28 kate mbi tokë
Dy leje ndërtimi brenda dy muajsh për një kompani pa bilanc, pa punonjës dhe të lidhur ngushtë me një të dënuar për trafik droge.
Të gjitha këto leje janë miratuar nga agjencia e drejtuar nga Adelajda Roka, vëllezërit e të cilës ndërkohë janë në burg për një tjetër hetim të SPAK-ut për përfshirje në trafikun e drogës të grupit të Suel Çelës.
Në fillim të vitit 2025, në lojë hyn edhe një tjetër emër: Viktor Kola, krushku i tij. Ai regjistron kompaninë “Midha shpk”, në vitin 2022 me të njëjtat karakteristika si “Hein Invest”: pa kapital real, pa bilance, pa punonjës.
Megjithatë, më 26 mars 2025, kjo kompani përfiton leje ndërtimi për një tjetër projekt: “Guri Tower”, një kullë që do të ngrihet në Tiranë.
Ligjërisht, SPAK ka bllokuar pasuritë dhe aktivitetet që lidhen drejtpërdrejt me emrin e Pashk Rrapit. Por ligji nuk ndalon që njerëzit e afërt të krijojnë kompani të reja dhe të marrin leje ndërtimi, edhe nëse lidhjet janë të dukshme.
Në këtë rast, dy persona të varur ekonomikisht dhe familjarisht nga Rrapi, kanë marrë në dorë projekte ndërtimi me vlerë dhjetëra miliona euro.
Çështja në Spanjë
Përpara hetimeve në Shqipëri, emri i tij ishte bërë publik edhe për një çështje penale në Spanjë.
Sipas dokumenteve të referuara nga SPAK dhe raportimeve mediatike, Gjykata Provinciale e Alicante në Spanjë e kishte shpallur fajtor Pashuk Gjinin dhe e kishte dënuar me 8 vite e 9 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Procedurat e mëvonshme në Shqipëri lidhen me aspektin pasuror të çështjes, ku autoritetet shqiptare verifikuan burimin e disa pasurive të lidhura me të.
Incidenti në Palasë
Emri i Pashuk Gjinajt u rikthye në vëmendje pas incidentit në zonën bregdetare të Palasës, ku policia ndaloi një jaht pas dyshimeve për përdorim arme zjarri.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur një akuzë konkrete ndaj tij për ngjarjen e fundit.
Pas ndalimit të jahtit dhe kontrolleve të kryera nga autoritetet, policia sqaroi se nuk u gjetën sende apo mjete të kundërligjshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes./BoldNews.al
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Kryeministri po flet me veten
Të korruptuar në mënyrë të pashërueshme!
Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128